Shkolla Model, model për shkollat tjera

Prishtina

Shkolla Model, model për shkollat tjera

Më: 7 mars 2017 Në ora: 13:17
Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami ka vizituar shkollën Model në Prishtinë

Me rastin e shënimit të 7 Marsit - Ditës së Mësuesit, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami ka vizituar shkollën Model në Prishtinë, ku edhe ka përcjell mesazhin e urimit për të gjithë mësimdhënësit e Kosovës, duke vlerësuar lart rolin dhe kontributin e tyre në edukimin e gjeneratave, në periudha të ndryshme.

Ministri Bajrami tha se kjo është një ditë për të cilën mësimdhënësit në një farë mënyre duhet të betohen para nxënësve, që t’u ofrojnë atyre cilësi të mirë të edukimit.

Bajrami: Do të punojmë për një edukim sa më cilësor

 “Fëmijë të cilët meritojnë një edukim cilësor dhe kjo ditë, dita e mësuesit sa është një moment i kujtesës për rolin dhe sakrificën që e kanë dhënë mësimdhënësit, edukimin e brezave të rinj aq edhe një moment i mobilizimit të neve mësimdhënësve për të punuar me shumë dashuri  me këta nxënës dhe unë shumë u gëzova sot kur nxënësit më thanë se e duan mësuesen e tyre ndoshta po aq sa prind e tyre, sepse mësimdhënësi është si një lloj prindi, një lloj kujdestari i nxënësve. Kështu që kjo ditë është një ditë kur ne mësimdhënësit e Republikës së Kosovës në një mënyrë do të betohemi para nxënësve tanë, do të punojmë që t’ju ofrojmë edukim cilësor”, tha ministri Bajrami

Bajrami foli edhe për kushtet moderne të mësimdhënies të cilat ofrohen në shkollën Model të kryeqytetit, ndërkaq shtoi se, MAShT është duke punuar që jo vetëm kjo shkollë, por të gjitha shkollat e Kosovës të ofrojnë ngrohtësi dhe kushte moderne për nxënësit.

Drejtori i shkollës Model Liridon Maliqi tha se kjo shkollë është model për shkollat tjera në Kosovë.

Ai tregoi se shkolla Model është binjakëzuar me shkollën në Finlandë e quajtur me emrin e hartuesit të statusit të pavarësisë së Kosovës, ambasadorit Marti Ahtisari. Nga ajo shkollë tregoi Maliqi janë duke i marrë modelet e mira të saj.

Maliqi: Jemi duke u munduar të bëhemi model për shkollat tjera

“Natyrisht shkolla model siç e thatë ju e ka emrin ‘Model’,  por realisht e ka emrin për kah infrastruktura gjë që i bie që ne do të mundohemi dhe jemi duke u munduar në vazhdimësi me menaxhimin tonë dhe përkushtimin tonë me mësimdhënësit tanë dhe me prindërit dhe nxënësit tanë që të mundohemi të bëhemi model për shkollat tjera jo vetëm pse e ka emrin ‘Model’,...E kemi edhe sistemin online, kemi punë me metodologji të reja,  të cilat i zbatojnë në klasë të gjithë mësimdhënësit, pastaj kemi fokus në atë çfarë e kemi marrë sepse jemi të binjakëzuar me shkollën finlandeze  ‘Marti Ahtisari’ në Finlandë jemi duke zbatuar metodologji që i sjellim nga atje në klasat tona që quhet ‘Learning by doing’”, tha Maliqi.

7 Marsi- Dita e Mësuesit, festohet çdo vit për të përkujtuar ditën  kur më 7 mars 1887, në Korçë, nën drejtimin e Pandeli Sotirit, u hap mësonjëtorja kombëtare shqipe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat