Abrashi zotohet për fuqizimin e rolit të grave në vendimmarrje

Prishtina

Abrashi zotohet për fuqizimin e rolit të grave në vendimmarrje

Më: 16 tetor 2017 Në ora: 12:33
Abrashi, fushata

Kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës nga LDK, Arban Abrashi, gjatë takimit me përfaqësuesen e OJQ-së "Dera e Hapur", Belqizare Muharremi, ka thënë se gjatë mandatit të tij do të garantoj rolin e grave në vendimmarrje.

"Gratë do ta kenë një rol kryesor në vendimmarrje sidomos në sektorin publik, ku besoj se do të punësohen shumë gra. Nëpërmes sistemit të arsimit do t'i favorizojmë gratë, sepse do të ndërtojmë shkolla të reja dhe do t’ju mundësojmë nënave që fëmijët e tyre të kenë mundësi qëndrimi gjithëditor në shkolla”, ka thënë Abrashi.

Ai ka thënë se është krenar që “brenda shtëpisë sonë politike ka kaq shumë gra e vajza, të cilat janë të profileve të ndryshme dhe do të jenë artikuluese të programit tonë për qeverisjen e Prishtinës gjatë mandatit të ardhshëm”.

Abrashi ka pohuar se nën drejtimin e tij, Komuna e Prishtinës do t’u krijojë hapësirën që meritojnë grave dhe vajzave tona, që ta menaxhojnë kryeqytetin, ashtu siç menaxhojnë shtëpitë tona.

Image

“Jam i vetëdijshëm se barrën e përkujdesjes, jo vetëm ndaj fëmijëve, por edhe ndaj personave të moshuar, gjyshërve tanë të dashur, e mbajnë nënat, gratë dhe motrat tona. Ne synojmë dhe kemi projekte konkrete për ndërtimin e institucioneve të kujdesit ditor dhe kujdesit të përhershëm për moshat e treta. Ata meritojnë, që krahas ngrohtësisë së familjes, të kenë një jetë sociale dhe rekreative me bashkëmoshatarët e tyre”, ka thënë Abrashi.  

Ai ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës, si parti e qendrës së djathtë dhe e integruar plotësisht në familjen e Partive Popullore Evropiane, është e vendosur që ta avancojë rolin e gruas, sepse ne jemi plotësisht të bindur se kështu vazhdojmë traditën e ruajtjes së familjes, si një vlerë e çmueshme e trashëgimisë sonë kombëtare, por edhe si vlerë e civilizimit tonë.

Ndërkaq kandidatja për asamble, Vlora Dumoshi ka thënë se OJQ "Dera e Hapur" është vlerë e kryeqytetit, pasi që ka kontribuar në mbrojtjen dhe fuqizimin e të drejtave të grave.

Përfaqësuesja e OJQ-së, “Dera e Hapur” tha se ne si organizatë jemi formuar në vitin 1999 në Shkup në kohen e okupimit, dhe kishin tri objektiva, ndihmën psikosociale, të drejtat e grave dhe shëndetin e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat