Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë disa fjalë për seancën e djeshme konstituive të Kuvendit Komunal.
Ai në një postim në Facebook ka përsëritur premtimin e tij për punë të ndershme dhe besnikëri.
Ja postimi i plotë i Ahmetit:
Dje, u mbajt mbledhja inauguruese e Kuvendit Komunal të Prishtinës, gjatë së cilës u betuan edhe asamblistët e rinj të Kuvendit Komunal për këtë mandat.
Pas tyre, betimin e dhashë edhe unë si kryetar i rizgjedhur. Në fjalimin e parë në mandatin e dytë, u zotova se do të punojë me nder e besnikëri me të gjithë.
“Dera e kryetarit te komunës së Prishtinës është e hapur për të gjithë asamblistët pa dallim partie për të diskutuar për problemet që ekzistojnë, por edhe për vetë qytetarët. Pa dyshim na presin 4 vjet tjera të vështira, urojmë që të punojmë të gjithë në të mirë të qytetarëve. Betohem se punën time do ta kryej në frymën e bashkëpunimit, qoftë me pozitën apo opozitën. Nga ju anëtarët e ri dhe ju të rizgjedhurit pres që çdo propozim tonin ta shihni me sy kritik, për të mirën e qytetarit”.