Xhamia në vend të Kampusit Universitar?!

Prishtina

Xhamia në vend të Kampusit Universitar?!

Më: 29 dhjetor 2017 Në ora: 11:19
Pamje e Katedrales "Nënë Tereza" në Prishtinë, që gjendet përballë kampusit të Universitetit të Prishtinës

Për Bashkësinë Islame të Kosovës dhe besimtarët myslimanë, çështja e ndërtimit të një xhamie me përmasa më të mëdha në Prishtinë, është konsideruar si nevojë e kamotshme.

Ndërtimi i Xhamisë Qendrore në Prishtinë, në lokacionin afër ndërtesës së Postës dhe Telekomit në Prishtinë, ishte parë si zgjidhje e qëndrueshme edhe nga zyrtarë të Komunës së Prishtinës, që kishin dhënë leje për ndërtimin e saj.

Mirëpo, këto ditë vetë zyrtarë të kësaj komune kanë dalë me ide të reja, duke pretenduar t’ia ndërrojnë lokacionin kësaj xhamie.

Ishte nënkryetari i Prishtinës Selim Pacolli i cili ka propozuar që kjo xhami të ndërtohet përballë Katedrales “Nënë Terezë”, në qendër të qytetit.

Pacolli ka propozuar që të zhvendoset Kampusi Universitar në një lokacion tjetër dhe aty të ndërtohet xhamia.

Këtë propozim Selim Pacolli e kishte bërë edhe gjatë fushatës zgjedhore për kryetar të Prishtinës, duke thënë se në hapësira të Universitetit të Prishtinës, duhet të ndërtohet një Qendër Islamike.

“Pas zhvendosjes së Universitetit të Prishtinës, ose Kampusit në një zonë të caktuar periferike, ku sigurisht do të jenë kushtet më të mira, atëherë ne flasim për një zonë të lirë në qytet. Si zonë e lirë, nëse këtu kemi Katedralen edhe shumë mirë që është, i jep bukurinë e vetë qytetit, sigurisht ne mund ta ngrisim një objekt kulti tjetër të komunitetit islam i cili konsideroj që është një mburrje për vetë qytetarët e Prishtinës por edhe për ne si shqiptarë në aspektin e tolerancës fetare”, ka deklaruar Pacolli.

Ky propozim i nënkryetarit të kryeqytetit nuk është pëlqyer nga studentët dhe qytetarët e Prishtinës.

Ata mendojnë se ka vende tjera të mjaftueshme ku do të mund të ndërtohej xhamia.

Sipas tyre, Universiteti i Prishtinës dhe hapësira e kampusit të tij, duhet të ruhet dhe nuk duhet të zëvendësohet një institucion arsimor me një fetar.

Arta Gjylani, studente, thotë se “nuk është kundër fesë myslimane apo ndërtimit të xhamisë në qendër të Prishtinës, mirëpo e shoh më të arsyeshme të ndërrohet lokacioni”.

“Nëse Kampusi Universitar do të zhvendosej në një lokacion tjetër, do të kishte shpenzime, qoftë për shtetin në këtë rast, edhe për Komunën e Prishtinës, të gjendet një parcelë apo një lokacion më i madh në këtë rast për Universitetin e Prishtinës”, thotë Gjylani.

Kurse Selim Daci, mendon se universiteti, siç shprehet ai ’duhet të ruhet si sytë e ballit’.

“Ka vende ku mund të ndërtohen xhamia, kisha, gjithë në shërbim të atdheut, por ky është thesari historik që duhet të ruhet me xhelozi”, thotë Daci.

Kundër ndërtimit të xhamisë në Kampusin Universitar shprehet edhe Mërgim Rama.

“Kemi vende tjera që mundë të ndërtohet xhami dhe jo të largohet një institucion arsimor për xhami”, thotë ai.

Përderisa Atifete Shabani, mendon se do të ishte shumë e padrejtë të zëvendësohet një institucion arsimor me një fetar.

“Ideja e kujt është? Këtë nuk e pëlqej hiç. Këtu duhet me qenë fakulteti dhe më shumë duhet të ndërtohet këtu jo vetëm me kaq. Xhamia ka plot”, thekson ajo.

Por, ka edhe të tillë që e shohin të udhës zhvendosjen e Kampusit Universitar në ndonjë hapësirë më të madhe.

Donika Hamiti, mendon se “nëse projektet komunale e parashohin një gjë të tillë dhe nëse do t’i kontribuonte fleksibilitetit dhe dinamikës më të mirë, qoftë të studentëve, të kushteve të punës ndoshta do të ishte e duhur”.

Në vitin 2012, ishte vënë gurthemeli i Xhamisë Qendrore në Prishtinë në hapësirën ndërmjet Postës së Re dhe Qendrës së Mjekësisë Familjare, por që nga ajo kohë ndërtimi ende nuk ka filluar.

Ndryshe, brenda Kampusit Universitar, për më gjatë se dy dekada qëndron edhe një godinë e Kishës Ortodokse Serbe, e cila ishte ndërtuar (ndonëse nuk kishte përfunduar ndërtimi i saj) në kohën kur Kosovës i ishte suprimuar autonomia në ish-Federatën Jugosllave nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat