Ndotje alarmante e ajrit në Prishtinë

Prishtina

Ndotje alarmante e ajrit në Prishtinë

Më: 2 janar 2018 Në ora: 23:54
Prishtina

Ndotja e ajrit gjatë verës në Prishtinë, por në veçanti gjatë dimrit, kohë pas kohe tejkalon për 300 herë mesataren e lejuar.

Qytetarët kërkojnë zgjidhje të këtij problemi, ngase po ndikon në shëndetin e tyre, kurse kompetentët thonë se po punojnë për hartim të një rregulloreje.

E kjo ndotje u shtua gjatë ndezjes së fishekzjarrëve për natën e Vitit të Ri.

Disa qytetarë, nivelin e lartë të ndotjes e lidhin me kushtet ekonomike, ku shumica e qytetarëve përdorin thëngjill për ngrohje, për arsye se është më pak i kushtueshëm.

“Unë për shembull e përdori thëngjillin se është më i lirë,me 180 euro pension çfarë të bëjmë. Ofrona mundësit na nuk e ndotim ajrin”, ka theksuar Adem Zaplluzha banor në Prishtinë.

Disa të tjerë mendojnë se qeveria duhet të ofrojë strategji, në mënyrë që të ulet shkalla e lartë e ndotjes së ajrit.

“Duhet të ofrohën zgjidhje, p.sh. në komunikacion mos të lejohen makinat e vjetra”, ka theksuar qytetari tjetër Ramë Blaka.

E Albert Maloku po ashtu banues në Prishtinë thotë se është momenti i fundit që qeveria të merr masa. “Sepse çdo ditë kemi semundjet kancerogjene, pastaj ndotja vjen edhe nga mos kultura jonë”, ka theksuar ai.

Luan Hasanaj, drejtori i organizatës joqeveritare për mbrojtjen e mjedisit “Let`s do it Kosova”, thotë se në Kosovë po mungon përgjegjësia e gjithë shoqërisë dhe institucioneve karshi kësaj problematike.

“Kemi ndotje të ajrit, ndotje të liqeneve, ndotje nga mbeturinat etj dhe lirisht mund të thëm se Kosova është e ndotur,por edhe në si shoqeri po punojmë pak në këtë drejtim”, ka thënë Hasanaj.

Ndërkohë, në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor thonë se po punohet që vitin e ardhshëm të hartohet një rregullore, që do të ndikonte në përmirësimin e ajrit në Kosovë.

“Kjo rregullore në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Minstrinë e Tregtisë dhe KEK-un parashihet që ta reduktojme përdorimin e thëngjillit sidomos nga ekonomitë familjare”, është shprehur Tafë Veselaj, udhëheqës i sektorit për monitorim të mjedisit në MMPH.

Bazuar në ueb-sajtin e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit e cila monitoron cilësinë e ajrit në Kosovë, vetëm në kryeqytet gjatë ditëve të fundit, vlera mesatare te ndotjes e ajrit ka kaluar mbi 300 herë shkallën e lejuar sipas indeksit të cilësisë së ajrit, e që cilësohet si e rrezikshme dhe e dëmshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat