KOSID: MZHE ka shkelur ligjin për KEDS0in dhe tenderin për TC “Kosova e Re”

Prishtina

KOSID: MZHE ka shkelur ligjin për KEDS0in dhe tenderin për TC “Kosova e Re”

Më: 11 janar 2018 Në ora: 11:24
KOSID

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka konstatuar se Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe KEK kanë shkelur nenin 41 të Kushtetutës dhe Ligjin për qasje në dokumente publike kur nuk kanë lejuar qasje në asetet e privatizimit të KEDS dhe në dokumentet tenderuese për termocentralin “Kosova e Re”, njofton KOSID përmes një komunikate për media.

“Më 3 qershor 2013, Instituti GAP në emër të Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), ka parashtruar padi kundër MZHE për mos lejim të qasjen në dokumente publike. Organizatat anëtare të KOSID, gjatë periudhës 2011-2013 kanë parashtruar me dhjetëra kërkesa për qasje në dokumente publike në proceset e privatizimit. Të gjitha kërkesat janë refuzuar nga MZHE me arsyetimin se ato dokumente janë drafte dhe janë dokumente te klasifikuara për të cilat nuk lejohet qasje”, thuhet në komunikatë.

 Theksohet se gjykata ka konstatuar se edhe dokumentet e pa përfunduara janë dokumente publike në të cilat duhet të lejohet qasja, si dhe ka konsideruar si të paarsyetuar përgjigjen e MZHE se dokumentet e privatizimit të pasurisë publike hyjnë në kategorinë e dokumenteve konfidenciale.

Përveç kësaj, Gjykata konstaton se edhe KEK ka bërë shkelje të Ligjit për qasje në dokumente publike kur nuk ka pranuar që të përgjigjet në kërkesat për transparencë me arsyetimin se Ligji për qasje në dokumente publike nuk aplikohet edhe për ndërmarrjet publike.

 Aktgjykimi detyron Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik që brenda 30 ditëve të lejoj qasje në asetet e privatizuara të KEDS dhe në dokumentet tenderuese për termocentralin “Kosova e Re”.

 “Ky Aktgjykim, i cili ka ardhur katër vite e gjysmë pas parashtrimit të padisë, është i vonuar, duke marr parasysh se gjatë kësaj periudhe është përmbyllur procesi i privatizimit të aseteve të KEDS dhe lista e aseteve është bërë publike pas privatizimit. Vlen të përmendet se në listën e aseteve të privatizimit të KEDS janë përfshirë edhe katër hidrocentrale, shitja e të cilave është mbajtur sekret nga publiku dhe nga Kuvendi i Kosovës. KOSID vlerëson se lejimi i qasjes në asetet e KEDS në kohën kur është parashtruar kërkesa, do të parandalonte dëmtimin e interesit publik. Njëkohësisht, shprehim shqetësim që pas tërë këtyre fakteve, prokuroria nuk e ka parë të arsyeshme të ngrit padi për procesin e privatizimit të KEDS”, thekson KOSID.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat