Agim Kuleta: Interesi i Prishtinës duhet të na bashkojë

Prishtina

Agim Kuleta: Interesi i Prishtinës duhet të na bashkojë

Më: 18 janar 2018 Në ora: 10:00
Kuvendi Komunal i Prishtinës

(E plotësuar) - Kuvendi Komunal i Prishtinës ka mbajtur mbledhjen e rregullt, ku Agim Kuleta i Lëvizjes për Bashkim, është zgjedhur kryesues i Kuvendit të Prishtinës.

Pas betimit të tre asambleistëve të rinj, filloi edhe zgjedhja e kryesuesit, ku kandidat ishte Shefki Gashi i LDK-së dhe Agim Kuleta. Pas votimit, ky i fundit doli të ketë përkrahje më të madhe të asambleistëve.

Kuleta morri 27 vota, ndërsa, Gashi vetëm 19 vota.

Kuleta më pas morri fjalën për t’u zotuar se gjatë mandatit të tij do të jetë bashkëpunues dhe do ta kryejë punën në mënyrë sa më profesionale.

Kuleta: Do të përpiqem ta kryejë punën në mënyrë profesionale

“Unë jam i bindur se edhe secili prej jush pajtohet me faktin se gjërat që na bashkojnë janë më të mëdha e më të rëndësishme se sa ato që mund të na ndajnë. Ne na bashkon interesi i Prishtinës dhe qytetarëve të saj, ndërsa mund të ndajë mënyra se si e shohim realizimin e këtyre interesave. Prandaj, duke besuar fuqishëm në këtë, si kryesues i këtij Kuvendi, do të përpiqem maksimalisht që ta kryejë punën time në mënyrë sa më profesionale. Do të jem i hapur dhe bashkëpunues me secilin prej jush, në funksion të mbarëvajtjes së punës në këtë institucion dhe në të mirë të qytetarëve e komunës sonë të përbashkët”, tha ai.

Më tej, Kuleta ka shpalosur edhe bazën  mbi të cilën do të funksiononte më mirë Kuvendi,  e cila sipas tij përbëhet nga: parimet, konstruktiviteti, qëllimi i mirë, përgjegjësia dhe ndershmëria.

Kuleta: Besoj në funksionimin e mirë të Kuvendit

“Ajo e cila unë besoj se është kryesorja në funksionimin e mirë të këtij kuvendi, është baza mbi të cilën ngriten qoftë uniteti qoftë ndasitë. E kjo bazë përbëhet nga parimet, konstruktiviteti, qëllimi i mirë, përgjegjësia dhe ndershmëria. Kur këto ekzistojnë tek secili prej nesh, atëherë mungesa e unitetit nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe mungesë bashkëpunimi. Përkundrazi, nënkupton që përmes kundërshtimeve e debateve konstruktive, të përgjegjshme e qëllimmira të përsoset një projekt dhe të nxirret një rezultat edhe më i mirë”, tha ai.

Krejt në fund, Kuleta u ka bërë thirrje të gjithë anëtarëve të Kuvendit për të punuar në drejtim të plotësimit të nevojave të qytetarëve, duke pohuar se nevojat e qytetarit janë detyrë  për ta.

Mbledhja e Kuvendit Komunal vazhdoi me formimin e Komitetit për Politikë dhe Financa, si dhe caktimin e anëtarëve të komisioneve të aksionarëve nëpër ndërmarrjet publike komunale.

***

Agim Kuleta i Lëvizjes për Bashkim është zgjedhur kryesues i KK të Prishtinës.

Ai ka marrë 27 vota, apo 8 më shumë sesa kunderkandidati nga LDK-ja Shefki Gashi që mori 19 sosh, ndërsa 5 vota ishin të pavlefshme.

Kuleta u propozua nga shefja e Grupit të Asamblistëve të LVV-së, Leonora Shabani-Bajraktari, si kandidat i përbashkët i koalicionit LVV-AKR-AAK-LB në kryeqytet.

Në këtë seancë janë betuar edhe tre asamblistë të ri nga radhët e Vetëvendosjes: Mimoza Sylejmani, Qëndrim Sahiti dhe Milot Podvorica, të cilët kanë zëvendësuar të emëruarit drejtorë në ekzekutivin e komunës.

Mbahet mbledhja e Kuvendit komunal të Prishtinës

Kuvendi Komunal i Prishtinës sot do të mbajë mbledhjen e parë për vitin 2018.

Në njoftimin e lëshuar për media bëhet e ditur se në këtë mbledhje do të formohet Komiteti për Politikë dhe Financa, si dhe do të caktohen anëtarët e komisioneve të aksionarëve nëpër ndërmarrjet publike komunale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat