Vërshimet e bodrumeve u shkaktojnë probleme banorëve në ‘Rrugën B’

Prishtina

Vërshimet e bodrumeve u shkaktojnë probleme banorëve në ‘Rrugën B’

Më: 22 janar 2018 Në ora: 22:14
Pamje nga video

Vërshimet e bodrumeve në kompleksin banesor në "Rrugën B" në Prishtinë, u kanë shkaktuar probleme banorëve. Organet përkatëse ndërhynë disa ditë më parë, por problemi nuk është zgjidhur. E tash me reshjet e borës, gjendja vetëm sa është përkeqësuar.

Katër ditë më parë, ishin bashkëqytetarë, zyrtarë komunalë dhe punonjës të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit dhe Kanalizimit që tentuan të sanojnë problemin e ujërave të zeza të cilat i kanë vërshuar bodrumet dhe garazhet e një kompleksi banesor në rrugën "B" në Prishtinë.

 “Ne po kemi probleme nëpër garazhe dhe podrumet tona. Banesa d.m.th na janë mbushë bodrumet, na i kanë zanë veturat, kemi pas edhe gjësendet tona të shtëpisë edhe po kundërmon aromë të keqe”, tha Jetmir Dushullovci - banor i lagjes.

Edhe Leonard Dushullovci banor i  kësaj lagje ankohet për problemet e shkaktuara nga vërshimet.

“Duk e marrë para sysh edhe liftin që unë jetoj në katin e nëntë lartë prej dje ne duhet të ngjitemi në këmbë.  U mbushë lifti ujë, hidroforët nuk punojnë uji do të ndalet, nxemjet do të ndalen”, tha ai.

Por kjo situatë ishte para disa ditësh, ndërkohë që gjendja ka mbetur e njëjtë, e madje është përkeqësuar nga reshjet e fundit të borës. Garazhet dhe bodrumet janë të përmbytura nga ujërat e zeza.

 “Kurse sot niveli ka shkua mbi një metër aty pasi që ka filluar bora dhe ka filluar edhe me u shkri, gjendja është katastrofë d.m.th i vjen era, janë pesë hyrje me 180 banesa me 180 familje edhe jeta e vështirë me jetua aty tash”, mirëmbajtës i objektit, Halil Matoshi.

Zyrtarë për informim nga Kompania e Ujësjellësit Rajonal thonë se ndërtimet e shumta në atë pjesë të qytetit e kanë stërngarkuar rrjetin e kanalizimit, kurse kompetencë kanë hapjen e pusetave e jo edhe mirëmbajtjen e kanalizimit.

 “Në rrugën "B " në moment kur kemi pasur ndërtime të shumta kemi pasur edhe probleme në rrjetin e kanalizimit. Qytetarët duhet ditë që ne kemi obligim zhbllokimin e pusetave të ujërave të kanalizimit por nuk e kemi mirëmbajtjen e tyre”, tha Arjeta Mjeku nga  KUR "Prishtina"  .

Pavarësisht se kush është përgjegjës, qytetarët kërkojnë zgjidhje të këtij problemi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat