Pacolli: Komuna e Prishtinës ballafaqohet me rreth 50 mijë objekte pa leje

Prishtina

Pacolli: Komuna e Prishtinës ballafaqohet me rreth 50 mijë objekte pa leje

Më: 11 maj 2018 Në ora: 14:29
Selim Pacolli

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli,  ka folur për problemet me të cilat përballën qytetarët e Prishtinës, por edhe punët të cilat janë duke i kryer për të përmirësuar gjendjen në kryeqytet.

Pacolli po ashtu ka folur edhe për ndërtimet pa leje, pranimet teknike si dhe për çështjet e tjera.

“Komuna e Prishtinës ballafaqohet me rreth 50 mijë objekte që janë pa leje të trashëguara. Janë ndërtime që janë bërë nga pas lufta deri në vitin 2013 dhe duhet të kenë një trajtim të posaçëm dhe si të tilla këto kanë kaluar nën juridiksionin e qeverisjes qendrore e që dihet që është duke u debatuar një ligj për legalizimin e tyre”, tha ai.

Zëvendësi i Shpend Ahmetit, ka thënë se si komunë janë duke punuar fort në disa pjesë të qytetit, për të përmirësuar infrastrukturën rrugore por edhe atë të ujërave fekal.

“Shumë shpejtë qytetarët e Prishtinës, do t’i kenë të lirë trotuaret dhe do ta kenë të lirë kalimin. Po ashtu më nuk do të ketë vërshime pas reshjeve atmosferike. Qendra nuk do të ketë kundërmime nga kanalizimet pasi janë shtri gypat dhe jemi duke punuar në rehabilitimin e pjesëve përcjellëse”, tregon Selim Pacolli.

Të gjitha objektet që ndërtohen aktualisht në Prishtinë sipas tij, kanë leje ndërtimi.

“Sigurisht që në Prishtinë nuk ka objekte banesore pa leje. Nuk mund të jam garantues nëse një objekt që është në brendësi të qytetit e që mund të mos shihet, janë vetë qytetarët në terren që na tregojnë se për çfarë lloj ndërtimi na lajmërojnë brenda Komunës”, tha ai.

Nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli ka thënë se një ndër problemet e mëdha në kryeqytet është edhe mungesa e parkingjeve.

“Aktualisht si hapësirë për parking e kemi pjesën e Fakultetit Filologjik, që do ta ndërtojmë një parking nëntokësor me kapacitet me 900 parkingje. I kemi edhe dy hapësira që do t’i shpalosim para investitorëve potencial. Parkingu në Fakultetin Filologjik është paraparë që të bëhet në oborrin e tij dhe kjo nuk e cenon asnjë centimetër dhe do të ishte i mirëseardhur edhe për vetë universitetin”, thotë ai.

Pacolli në këtë intervistë ka folur edhe për lëshimin e lejeve ndërtimore nga ana e Komunës së Prishtinës, ku shpesh ndërtuesit janë ankuar, për neglizhencë nga autoritetet komunale.

“Gjuha e biznesit është më pak arbitrare dhe kërkon një intervenim dhe vendimmarrje të shpejtë në bazë të ligjeve dhe atyre rregulloreve. Nuk është ndonjë invadim i madh i ndërtimeve, mirëpo të gjitha ndërtimet që tani bëhen kanë leje të ndërtimit dhe janë në konform rregullave”, tha Pacolli.

Ai ka treguar se kanë në plan që brenda 24 muajve ta dyfishojnë kapacitetin e ngrohjes në kryeqytet nga Termokosi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat