Në Prishtinë vjen arti përmes “Meeting of Style”

Prishtina

Në Prishtinë vjen arti përmes “Meeting of Style”

Më: 19 maj 2018 Në ora: 17:53
Në Prishtinë vjen arti përmes “Meeting of Style”

1800 metra katrorë mure të Prishtinës po mbulohen me art nga100 artistë të vendeve të ndryshme të botës.

Kjo pasi që qysh dje zyrtarisht ka nisur festivali “Meeting of Style”, i cili po mbahet në Rrugën B të Prishtinës.

Prezent  në këtë festival jenë artistë nga vende të ndryshme të botës, si Rusia, Meksika, Kanada, Argjentina, Ekuadori, Brazili dhe shtete tjera.

Koordinatorja për media e “Meeting of Styles”, Dea Balaj tha se këtë vit shënojnë edicionin e dytë të këtij festivali, i cili ka për qëllim zbulimin e realitetit përmes grafiteve si art e jo vandalizëm.

Ajo po ashtu tha se në kuadër të këtij festivali përveç grafiteve, kanë organizuar edhe aktivitete tjera për ta bërë më atraktiv këtë ngjarje.

Balaj: Shënojmë edicionin e dytë të këtij festivali

“Kosova është bërë pjesë e tij vitin e kaluar. Këtë vit shënojmë edicionin e dytë që ka për qëllim zbulimin e realitetit dhe së vërtetës përmes grafitit si art, e jo vandalizëm. Siç po e shihni sot këtu kemi më shumë se 100 artist nga e mbarë bota, përfshirë Meksikën, Amerikën, Britanin e shtete të ndryshme të Evropës dhe të Azisë, dhe po ashtu edhe të Afrikës. Kemi gjithsej 550 metra rrugë dhe 1800 metra katrorë mur, që do të mbulohet me artë dhe patjetër që e kemi shoqëruar me aktivitet të tjera. Kemi dyqanin ku mund të marrin disa produkte të festivalit, po ashtu kemi muzikë, pije freskuese për të gjithë kalimtarët e rastit”, u shpreh Balaj.

E për gjithë këtë aktivitet i cili po zhvillohet në kryeqytet, Balaj thotë se leje kanë marr edhe nga Komuna e Prishtinës, të cilët i ka konsideruar si mbështetësit më të mëdhenj.

Balaj: Po kemi marr leje nga Komuna e Prishtinës

“Komuna e Prishtinës është njëri prej suportuesve tanë më të mëdhenj, gjithçka është ligjore, ne kemi marr kërkesën dhe lejen për shfrytëzimin e rrugës B dhe këtij muri. Po ashtu edhe bllokimin e njërës prej rrugëve, me qëllim të sigurisë së artistëve dhe kalimtarëve”, u shpreh ajo.

Për të marr pjesë në këtë festival nga Italia kishte ardhur në Kosovë për herë të pari edhe  artisti Giorgio Je 73, i cili në përmes grafitit ka paraqitur inicialet e emrit të tij artistik.

Duke u shprehur shumë i kënaqur me organizimin dhe mikpritjen, artisti italian thotë se më së shumti i kanë lënë pështyje njerëzit e shoqërueshëm në Kosovë.

Je: Njerëzit më kanë bërë përshtypje

“Është hera e parë që jam në Kosovë por jo në ‘Meeting of Style’ si festival në mbarë botën. Jam shumë i kënaqur me organizimin, me akomodimin, gjithçka sa i përket festivalit. Është kënaqësi të jem këtu. Grafiti im paraqet emrin tim artistik që është JE dhe numri 73 është i paraqitur në formë abstrakte dhe janë letrat e emrit tim artistik. Diçka që më ka bërë më së shumti përshtypje, janë njerëz të cilët janë shumë të shoqëruar dhe të dashur”, u shpreh ai.

Pjesëmarrës në këtë festival të grafiteve është edhe artisti Taulant Qerkini, i cili njihet me nofkën artistike Taki.

Duke u shprehur shumë i kënaqur me organizimin, Qerkini thotë se përmes këtij festivali njerëzit mund të njoftohen edhe me procedurat se si mund të bëhet një grafit.

Qerkini: Organizimi më i mirë në Prishtinë

“Njerëzit e kanë mundësinë me e pa qysh krijohet një kryevepër si ato më ato më poshtë që janë bërë. Unë jam duke kaluar tepër mirë, me rëndësi njerëzit me u kënaq. Është një prej organizimeve më të mira që kemi në Prishtinë, ka pasur shumë punë për të arritur deri në këtë pikë. Kam marr pjesë edhe vitin e kaluar, për mua ka qenë një gëzim më i madh se deri sot nuk ka pasur këso qasje ndaj grafiteve. Këtu jam duke e shkruaj momentum”, u shpreh ky artist.

Në rrugën B ishin mbledhur një numër i madh të rinjsh, të cilët kishin ardhur për të parë nga afër grafitet e vizatuara. Ndër ta ishte edhe Medina Bucolli, e cila thotë se shumë po i pëlqen ky aktivitet, duke shtuar se këtë vit grafitet janë shumë më të mira se vitin e kaluar.

Bucolli: Këtë vit grafite shumë më të mira

“Veç kam ardhur me pa dhe është shumë mirë, ka shumë sene që mundemi me bë, ka grafite, muzikë, birra, ujë, çka të duash... Ka pasur vitin e kaluar shumë të mira, por tani i kanë bërë edhe më të mira”, ka deklaruar Bucolli.

Festivali më i  madh në Ballkan për art në hapësira publike “Meeting of Styles” (MOS), ka nisur që nga dje dhe do të vazhdojë edhe nesër në rrugën B në Prishtinë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat