Hapet panairi që promovon fermerët e Prishtinës

Prishtina

Hapet panairi që promovon fermerët e Prishtinës

Më: 1 nëntor 2018 Në ora: 14:08
Panairi që promovon fermerët e Prishtinës

Për herë të parë në Prishtinë është hapur “Panairi i Produkteve Vendore rajonale”, që ka për qëllim promovimin e prodhimeve lokale bujqësore të Prishtinës.

Motoja e këtij panairi  tre ditor është “mendo për nesër blej produkte vendore” dhe synon që të avancojë zhvillimin rural, ta promovojë aftësinë konkurruese të bujqve për ta avancuar zhvillimin rural.

Në hapje të panairit ka marrë pjesë edhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, i cili është shprehur se e kanë organizuar këtë panair për të mbështetur prodhuesit vendor.

Pacolli: Komuna është duke punuar me intensitet të shtuar në përkrahje të fermerëve

“Po e hapim këtë panair tre ditor këtu në qendër të Prishtinës duke pasur parasysh që Komuna e Prishtinës është duke punuar me intensitet të shtuar në përkrahje të të gjithë fermerëve të komunës së Prishtinës. Dihet që ne kemi edhe një plan të veprimit që t’iu vijnë pikërisht në mbështetje këtyre fermerëve, duke e pasur parasysh se është i vetmi resurs për zhvillim në Komunën e Prishtinës. Ne jemi përkrahës të të gjithave iniciativave të tilla, të cilat ofrojnë zhvillim dhe mundësi në zhvillimin e kapaciteteve të sektorit të bujqësisë dhe të turizmit rural”, tha ai.

Ai ka premtuar se si komunë do të jenë gjithmonë në përkrahje të bizneseve vendore dhe të fermerëve.

Kurse, Arsim Haziri, nga Agjencia Austriake për Zhvillim, ka bërë të ditur se përveç mbështetjes që i kanë dhënë këtij projekti në Prishtinë, janë duke përkrahur edhe në qytetet e tjera.

Ai bëri të ditur se për dy vite në përkrahje të fermerëve kanë dhënë rreth 2 milion euro.

Haziri: Për dy vite afër 2 milionë euro investime në përkrahje të bizneseve

“Për Qeverinë austriake zhvillimi ekonomik, sidomos zhvillimi ekonomik në zona rurale është një ndër prioritetet. Momentalisht nëpër Kosovë, nëpër komunat e Kosovës kemi tri projekte të cilat janë duke u financuar nga Qeveria austriake... Gjatë këtij bashkëpunimi dy vjeçar që e kemi bërë afër 2 milionë euro veç janë dhënë për t’u investuar në përkrahjen e fermerëve përmes granteve në të gjithë sektorët e bujqësisë”, u shpreh ai.

Në hapje të panairit në emër të Grupit Lokal të Prishtinës, Fexhri Hyseni, ka deklaruar se janë munduar që në panair t’i përfshijnë të gjithë sektorët e bujqësisë.

Hyseni: Ky panair organizohet për herë të parë në Prishtinë

“Ky panair organizohet për herë të parë në Komunën e Prishtinës, në këtë panair janë të përfaqësuar fermer, organizata të ndryshme, kryesisht të zonave rurale, që veprimtarinë e tyre e zhvillojnë në komunën e Prishtinës. Jemi munduar me i përfshi të gjitha fushat, të gjithë sektorët e bujqësisë që veprojnë në Komunën e Prishtinës”, tha ai.

Në këtë panair është prezantuar edhe Durim Shyty, kultivues dhe përpunues i frutave të Aronisë, i cili thotë se panairi do t’i ndihmojë edhe për promovim.

Shyti: jemi duke u prezantuar me prodhime të aronisë

“Ne sot jemi duke u prezantuar me prodhime të aronisë, janë bio, kemi xhem aronie, aroni e freskët, aroni të thatë për çaj, shurup për çaj... Me prodhime kemi filluar këtë vit me dal në treg, mirë ia ka nis ta shohim”, tha ai. 

Kurse, Shoqata “Dera e hapur” në panair është paraqitur me punime dore. Anëtarja e kësaj shoqate Fahrije Selimi, tha se ideja për këtë panair është shumë e mirë.

Selimi: Merremi me punëdore

“Ne jemi nga shoqata “Dera e hapur” dhe merremi me punëdore, me qëndisje, me bizhuteri... Është ide e mirë, është ndihmesë e madhe për popullin”, tha ajo.

Panairi që është hapur sot do të zgjas deri të shtunën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat