Përzgjedhja e arsimtares nxit bojkot të mësimit

Prizreni

Përzgjedhja e arsimtares nxit bojkot të mësimit

Më: 16 dhjetor 2017 Në ora: 23:14
Përzgjedhja e arsimtares nxit bojkot të mësimit

Që nga fillimi i javës, klasa e dytë e një shkolle në Prizren është duke e bojkotuar mësimin për shkak të mospajtimit me arsimtaren e përzgjedhur për nxënësit e saj gjatë konkursit të shpallur nga Drejtoria Komunale e Arsimit.

Shukrie Krasniqi ankohet se Drejtoria Komunale e Arsimit në Prizren manipuloi me konkursin për vendin e punës si mësimdhënëse në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Atmaxha” në Atmaxhë të Prizrenit për ta favorizuar kundër kandidaten e saj.

Si kandidate për pozitën e mësimdhënëses në mësimin klasor, ajo thotë se kishte punuar 3 muaj pa pagesë si zëvendësuese në pozitën e një profesori i cili kishte ndërruar jetë.

Megjithatë, kur ishte shpallur konkursi për pozitën e rregullt, Shukrie Krasniqi nuk ishte futur as në listën e ngushtë.

“Arsyet nuk i di se cilat janë, përvojën e punës 3 muaj këtu që kam punuar pa pagesë ma kanë anashkaluar dhe kanë treguar një injorim duke më përjashtuar nga lista e intervistës”, tha Krasniqi për KALLXO.com.

Ajo tregon se në listën e ngushtë për interviste kishte edhe kandidatë të cilët nuk kishin fare përvojë të punës.

“Nuk e di se me çfarë kritere është bërë përzgjedhja e listës së ngushtë. Nëse është bërë në bazë të përvojës së punës atëherë në këtë listë njëra kandidate ka qenë pa përvojë pune fare ndërsa këta tre muaj që kam punuar unë nuk e kanë numëruar si përvojë edhe pse Drejtoria e Arsimit ka qenë e njoftuar që jam duke punuar në këtë shkollë”, shtoi ajo.

Më tej kandidatja Krasniqi hedh dyshime në kualifikimin e kandidates së përzgjedhur duke kontestuar përvojën e saj të punës.

“Ka paraqitur një përvojë pune 12 muaj në vitin 1997-98 kur vendi ka qenë në kohë lufte. Ajo vet e potencon se ka diplomuar dhe ka kryer shkollën profesionale dy vjeçare dhe ka përfunduar studimet në vitin 2005. Si mund të numërohet kjo përvojë e punës kur në atë kohë ajo ka qenë vetëm studente”, pyet Shukrie Krasniqi.

Nga ana tjetër drejtori I kësaj shkolle, Nexhat Gashi tha për KALLXO.com se është duke u ballafaquar me një situatë mjaft të vështirë pasi prindërit e kësaj klase kanë kërkuar llogari nga ai për ndërrimin e mësueses.

“Për mua si menaxher i shkollës, situata është shumë e palakmueshme për arsye se një pjesë e prindërve kërkojnë flet kalime në mënyrë që nxënësit t’i bartin dhe të vazhdojnë shkollimin në shkolla të tjera. Arsye është se ata kanë krijuar një besim të plotë te mësuesja që e ka zëvendësu mësuesin për arsye se rezultatet e saj kanë qenë shumë të dukshme”, tha Drejtori Gashi.

Drejtori Gashi tregon që DKA në Prizren nuk e ka pyetur fare menaxhmentin e kësaj shkolle dhe ka vendosur krye në vete për këtë konkurs.

E kontaktuar nga KALLXO.com, Drejtoria e Arsimit në Prizren nuk ka dhënë përgjigje mbi këto akuza duke u arsyetuar se drejtori i kësaj drejtorie, Zehadin Shemsedini, nuk është në punë për shkaqe shëndetësore.

Anëtari i Këshillit te Prindërve të kësaj shkolle Emrulla Gashi që njëherë është edhe prindi i njërës nga nxënëset e klasës në fjalë përmes një emaili në KALLXO.com ka sqaruar shqetësimet e tyre duke arsyetuar bojkotin që janë duke bërë që nga 11 dhjetori.

“Është bastarduar procesi rekrutues i punëtorëve të arsimit dhe se procedurat e përzgjedhjes janë shkelur. Nxënësve të shkollave po i servohen mësimdhënës sipas dëshirës së klaneve, me apo pa kritere përkatëse, sistemi arsimor është në krizë”, tha Emrulla Gashi.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat