Latifi: Zona Ekonomike e rëndësishme për perspektiven ekonomike - Bota Sot
Latifi: Zona Ekonomike e rëndësishme për perspektiven ekonomike

Prizreni

E enjte, 20 shtator 2018

Latifi: Zona Ekonomike e rëndësishme për perspektiven ekonomike

Më: 29 qershor 2018 Në ora: 13:42
Smajl Latifi në një konferencë për media është shprehur se ky është ndër vendimet më të rëndësishme për perspektivën ekonomike të kësaj komune

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi pas marrjes së vendimit për aprovimin e kërkesës nga Qeveria e Kosovës, për krijimin e Zonës Ekonomike, ka njoftuar se kjo zonë do të krijohet mbi fshatin Opterushë.

Lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për krijimin e Zonës Ekonomike, Latifi në një konferencë për media është shprehur se ky është ndër vendimet më të rëndësishme për perspektivën ekonomike të kësaj komune.

Sipas tij, në këtë mënyrë po përmbushet një kërkesë e kahmotshme e bizneseve të Rahovecit për një hapësirë të lirë ku do të zhvillohen veprimtari të ndryshme ekonomike.

“Komuna e Rahovecit, si zonë e rëndësishme agrare, është një nga zonat që sjellin përfitime financiare për banorët e zonës dhe për buxhetin e Republikës së Kosovës, prandaj konsiderojmë se, krijimi i një zone të lirë ekonomike është hap i rëndësishëm për ekonominë e vendit tonë në përgjithësi. Investimet në këtë zonë agro-industriale janë të një rëndësie të veçantë, prandaj ju bëjmë thirrje Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, dhe ministrive të tjera që kanë synim përmirësimin e gjendjes ekonomike e sociale në vend, që të bashkëpunojnë me Komunën e Rahovecit për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme në këtë Zonë Ekonomike dhe ofrimin e hapësirave për bizneset e komunës së Rahovecit e më gjerë. Finalizimi i një synimi 17-vjeçar, përbën arritje të madhe për qytetarët e komunës së Rahovecit, por që dëshmon për qasjen dhe  përkushtimin e Ekzekutivit të Rahovecit dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për krijimin e hapësirave për punë të qytetarëve të këtij vendi. Komuna e Rahovecit në afat të shkurtër kohor do të hartojë planin e veprimit dhe do të zhvillojë procedurat e nevojshme në mënyrë që Zona të jetë e qasshme për bizneset e interesuara. Në emër të qytetarëve të Rahovecit shpreh mirënjohjen time për Kryeministrin Haradinaj dhe lidershipin e vendosur të tij e të qeverisë që ai drejton për t’i hapë udhë zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm të Rahovecit. Po ashtu, dua të falënderoj  edhe Besnik Tahiri, koordinator kombëtar për reforma shtetërore për kujdesin, angazhimin, bashkëpunimin si dhe përkushtimin që ai ka treguar që të arrihet qëllimi”, ka thënë ndër të tjera kryetari Latifi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test