Në Prizren u mbajt akademi për nder të kontributit shkencor të prof. Dr. Muhamet Shatrit

Prizreni

Në Prizren u mbajt akademi për nder të kontributit shkencor të prof. Dr. Muhamet Shatrit

Nga: Sadri Rexhepi Më: 9 gusht 2018 Në ora: 16:51
Prizren

Javën e fundit Shoqata Kulturore “Ttojet e Arbërit”, si gjithëherë më pare, edhe kësaj radhe ka zhvilluar aktivitete të shënuara lidhur me ndriçimin e personaliteteve historike dhe shkencore, si dhe shënimin e ngjarjeve historike që kanë ndodhur në Shqipërinë Etnike. 

Aktivitete të rëndësishme me karakter shkencor dhe kombëtar kjo Shoqatë ka zhvilluar në Prizren, Lezhë dhe Gjakovë.

Kjo akademi u mbajt në sallën e Shoqërisë Kulturore “Agimi” në Prizren.

Ndërkaq, në këtë shkrim do të  flasim për aktivitetin që ka zhvilluar kjo Shoqatë në Prizren, ku mbajti një Akademi shkencore dhe promovuese e emërtuar “Prof. Dr. Muhamet Shatri – 50 vjet në shërbim të çështjes shqiptare 1968-2018”.

Me këtë rast u lexuan 15 kumtesa shkencore, ku flitej gjërë e gjatë për jetën dhe biografinë e Prof. Muhamet Shatrit dhe kontributit të tij shkencor dhe kombëtar që ai ka dhënë gjatë 50 vjetëve të qëndresës heroike në Kosovë dhe në mërgim për lirinë e Kosovës.  

Si zakonisht, udhëheqës i programit ishte Nue Oroshi, ndërsa në fillim u emitua hymni kombëtar, pastaj u mbajt një minut heshtje për të madhin e kombit Adem Demaçin, kurse fjalën e hapjes e mbajti Tomë Mrijaj.

Në vazhdim një vajzë simpatike nxënëse e klasës së nëntë, Anila Beqaj, i befasoi të pranishmit, duke performuar me flautë.

Drejtimin e Seancës e udhëhoqën Riza Sadiku, Tomë Mrijaj, Nue oroshi, Besim Morina, Izber Hoti, kurse aty ishte i pranishëm edhe Nezir Gashi.

Seancën e hapi Mehmet Gjoshaj me punimin ”Kontributi arsimor, shkencor dhe atdhetar i profesor Muhamet Shatrit”, i cili shpalosi disa detaje dhe rrugën e vështirë nëpër të cilën kaloi Dr. Muhamet Shatri, bashkë me gjeneratën e tij, kurse Riza Sadiku u prezantua me punimin “Kryengritja e popullit shqiptar në Iliridë”, duke nxjerrë pasuse nga libri “Kryengritja e përgjithshme shqiptare kundër osmane e vitit 1912” e Prof. Dr. Muhamet Shatrit, i cili dha detaje të rëndësishme rreth zhvillimit të atyre ngjarjeve të rëndsishme për kombin në Iliridë e që ishin trajtuar në librin e Prof. Dr. Muhahet Shatrit. Ndërkaq, Selman Etemi u paraqitet me punimin me titull ”Prof. Dr. Muhamet Shatri ripërtëritës i vazhdimësisë së nacionalizmës shqiptare të familjes Shatri nga Tomoci i Istogut”,  i cili solli të dhëna të reja për të pranishmit, të cilat ishin shumë të rëndësishme për begatimin e bagazhit biografik të një familjeje me tradita atdhetare tradicionale brez pas brezi. Ndërsa, Tomë Mrijaj u prezantua me punimin shumë interesant me titull ”Kur kujtoj vuajtjet e mëdha të popullit, vuajtjet e mia më duken të vogla”, i cili i paraqiti angazhimet e tij për të mirën e çështjes kombëtare.  Më pas, Bedri Muhadri, u paraqit me punimin “Kontributi i Profesor Muhamet Shatrit në Revistën Shkencore “Kosova” të Institutit të Historisë”, kurse Lush Culaj doli me punimin “Monografi gjithpërfshirëse e Prof. Dr. Muhamet Shatrit me titull “Kryengritja e përgjithshme shqiptare kundërosmane e vitit 1912”.

Pastaj Izber Hoti në këtë eveniment kulturor që iu kushtua Prof. Dr. Muhamet Shatrit, na paraqitet me punimin “Kontributet shkencore në rrethana të ndërlikuara”, i cili dha nji kontribut të çmuar në këtë rrafsh historik, kurse Antonie Panchev shprehu disa mendime rreth librit të Prof. Dr. Muhamet Shatrit “Kryengritja e përgjithshme shqiptare kundërosmane e vitit 1912”. Ismail Rugova u paraqit me punimin me titull ”Muhamet Shatri mësimdhënës në Gjimnazin e Istogut”, ku në vija të përgjithshme flet për aftësitë e tij në procesin edukativo- arsimor dhe në ngritjen e vetëdijes kombëtare tek nxënësit që në fjalorin tonë konsiderohen ardhmëria kombëtare shqiptare.

Vemendje të veçantë ka zgjuar punimi i Ramadan Reshitajt, që titullohej “Profesor Muhameti - promotor i veprimtarive shqiptare në Suedi”, të cilat i paraqiti në detaje, duke i përmend që nga fillimi i shkuarjes e deri në ditët e fundit të qëndrimit të tij në Suedi, që të gjitha ato veçanti e përbëjnë një tërësi që u arrit më 10 qershor 1999 apo më mirë të themi që nga kjo datë historike për popullin shqiptar të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve në trojet etnike në Ballkan, në çlirimin e Kosovës dhe largimin e pushtuesve serbosllav nga Kosova. Haxhi Ademi në këtë eveniment kulturor e kombëtar u prezantua me punimin me titull ”Lufta e Dytë Botërore në optikën e Prof. Dr. Muhamet Shatrit”, kurse Besim Morina në këtë tubim vjen me punimin që titullohet Bashkëpunimi i Profesor Muhamet Shatrit me atdhetarët Metush Krasniqin dhe Ismail Dumoshin në dritën e kujtimeve të tij”, ndërsa Nue Oroshi këtu vjen me punimin “Disa kujtime për Prof. Dr. Muhamet Shatrin gjatë punës së përbashkët 14 vjeçare në Shoqatën “Trojet e Arbërit”, i cili shpalosi vështirësitë me të cilat janë ballafaquar gjatë përgatitjes së katërmbëdhjetë numrave të gjertanishëm që kapin rreth dhjetë mijë faqe dorëshkrime.

Autori i këtyre rreshtave ka botuar një artikull me titull “Tronditjet individuale dhe kolektive në vitin 2003” për ata që kishin qenë në izolim më 1989 në kazamatet e ndryshme serbosllave dhe vuajtjet e tyre pas torturave të tmerrshme dhe çmendurake që kishin përjetuar ata e ku përfshihet edhe Prof. Dr. Muhamet Shatri.

 Në fjalën përmbyllëse, të cilën e mbajti Besim Morina, ai i falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrje në këtë Akademi shkencore të mbajtur në Prizrenin historik, dhe një falënderim të veçantë ua dha atyre që u paraqitën në foltore me kumtesat e tyre.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat