Inspektohen punimet në pesë projekte kapitale në komunën e Malishevës

Prizreni

Inspektohen punimet në pesë projekte kapitale në komunën e Malishevës

Më: 25 shtator 2018 Në ora: 17:17
Nënkryetari Berisha, ka kërkuar nga operatorët, që t’i realizojnë projektet sipas dinamikës së paraparë.

Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, gjatë ditës së sotme, ka inspektuar punimet në pesë prej shumë projekteve kapitale që janë duke u realizuar në vendbanimet e Komunës së Malishevës.

Me këtë rast nënkryetari Berisha, ka kërkuar nga operatorët, që t’i realizojnë projektet sipas dinamikës së paraparë.

Punimet të cilat i ka inspektuar nënkryetari Berisha janë ndërtimi i objekteve shkollore në Lladroc dhe Bardh, trotuari në Bellanicë, rregullimi i shtratit të lumit në Banjë dhe rruga në lagjen e Samdraxhëve po ashtu në Banjë.

“Ajo që ne duam është realizimi i projekteve sipas planifikimeve dhe cilësi e lartë në punime”, ka thënë Berisha, gjatë bisedave me operatorët dhe me qytetarët.

“Paratë janë të qytetarëve dhe këto investime janë në shërbim të qytetarëve, andaj cilësia duhet të jetë sipas kritereve të parapara, e po ashtu edhe koha e realizimit të projekteve duhet të respektohet në përpikëri”, ka shtuar ai.

Përndryshe, me ecurinë e deritanishme të punimeve, nënkryetari Berisha është ndarë i kënaqur, përderisa edhe banorët e këtyre fshatrave, gjithashtu janë ndarë të kënaqur me këto investime shumë domethënëse për lagjet dhe fshatrat.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat