Kryeprokurori i Prizrenit: Rastet e dhunës në familje të trajtohen me prioritet

Prizreni

Kryeprokurori i Prizrenit: Rastet e dhunës në familje të trajtohen me prioritet

Më: 27 shtator 2018 Në ora: 11:41
Ilustrim

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, ka mbajtur takim me të gjithë përgjegjësit të cilët merren me trajtimin e rasteve që ndërlidhen me veprat penale të cilësuara si dhunë në familje, brenda kompetencës së kësaj prokurorie, me qëllim të ngritjes së efikasitetit për trajtimin e rasteve të tilla.

Në këtë takim ishin të pranishëm prokurorë përgjegjës për rastet e dhunës në familje, përfaqësues nga Policia e Kosovës për rajonin e Prizrenit, gjykatës, mbrojtës të viktimave, përfaqësues nga Qendra për Punë Sociale, Strehimorja, Zyra për Ndihmë Juridike Falas, si dhe zyrtarë nga Shërbimi Sprovues.

Kryeprokurori Shala nga të pranishmit kërkoi bashkëpunim dhe  bashkërendim të plotë mes institucioneve  kompetente, me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme, që trajtimi i rasteve të tilla të ketë prioritet të plotë dhe ndaj tyre të veprohet dhe të reagohet me urgjencë.

“Pjesëmarrësit në takim u pajtuan për nevojën e ndërtimit të raporteve më të drejtpërdrejta edhe me viktimën (të dëmtuarën) e dhunës në familje. Në këtë drejtim koordinatorja për dhunë në familje nga Prokuroria Themelore në Prizren, Mehreme Hoxha, zyrtarëve policorë ua prezantoi nga një kopje të vlerësimit të rrezikut si dhe të urdhërit për mbrojtje emergjente, me rekomandimin që në të ardhmen së bashku me kallëzimin penal, të plotësohet nga viktima edhe formulari për vlerësimin e rrezikut. Në fund të takimit, të gjithë pjesëmarrësit vlerësuan se duhet të thellohet edhe më tutje bashkëpunimi dhe të mbahen takime më të shpeshta sa i përket rasteve të tilla në mënyrë që të shtohen mekanizmat e mbrojtjes ndaj dhunës në familje”, thuhet në komunikatë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat