Mbi religjiozitetin dhe jo religjiozitetin

Religjion

Mbi religjiozitetin dhe jo religjiozitetin

Nga: Dedë Palokaj Më: 7 qershor 2017 Në ora: 09:22
Dedë Palokaj

Njeriu për kah natyra është qenie religjioze. Religjioziteti dhe jo religjioziteti, çështje e vetëdijes dhe nënvetëdijes. Ritet e varrimit shenjë respekti, dashurie dhe religjioze. Fenomeni i religjiozitetit sipas V. E. Frankël. Ateisti i vetëdijeshem teist i nënvetëdijeshem. Përshpirtëria e nënvetëdijeshme. Ateizmi devijim i njeriut. Historia e ateizmit. “Tregu” i religjioneve të sotme. Rrënjët e ateizmit praktik. Kush është njeriu religjioz? Religjioziteti i pamoralshem. Kur afektet e sundojnë arësyen, atëherë religjioziteti bëhët i sëmurë, i rrezikshem dhe i pa perspektivë. 

Njeriu për kah natyra është qenie religjioze (homo religiosus). Njeriu përherë ka qenë i tillë dhe si i tillë do të jetoj deri në vdekje. Dëshira e zjarrtë për të mbinatyrshmën - për Krijuesin është e shënuar në shpirtin e njeriut. Njeriu ndjehet i brisht për ta mbyllur përgjithmonë derën e çështjeve fundamentale siç është: liria, dashuria, Krijuesi, pavdekshmëria etj. Po e mbylli njeriu derën e çështjes së transcendences - të përjetshmërisë, i megjepsur nga bukuria e krijesave me entuziazëm të madh mund t’i kthej krijesat në idhuj e t’i adhuroj ato si hyjni deri në përulje. Qysh nga zanafilla njeriu në vetvete e bartë virusin e vdekjes. Dhe, mu për këtë ai brenda eksistences së vet e njeh humbjen më të rëndë dhe më të dhimbshme e kjo është vdekja e tij. Sepse njeriu është qenie e vdekshme. Vdekja është ligj i domosdoshëm dhe paraqet humbjen më e madhe të qenies njerëzore e cila nuk bën dallim në mes njerëzve dhe siç thuhet: të gjithë jemi të barabartë përpara vdekjes. Ajo i merr të gjitha, e fik zjarrin e dritës të kësaj bote duke e fshehur njeriun në misterin e vet. Muzgun e jetës njeriu gjatë tërë historisë e ka përjetuar si çmimin më të lartë dhe më të dhimbëshem, si biletën më të shtrenjtë në rrugën e shtektimit të vet jetësor.

Në të kaluarën e largët parahistorike na çon arkeologjia e cila na bën të mundur ta hedhim shikimin mbi kohën para lindjes së shkrimit. Edhe para shfaqjes së ideve fetare të njëmendta, qysh në epokën parahistorike ka ekzistuar kulti për të panjohurën në lidhje me objekte, gjallesa apo dukuri natyrore. Ky kult kishte si shkak frikën, habinë e admirimin në drejtim të së panjohurës në natyrë e në jetën e njerëzve. Janë këto përfytyrime të mjegullta të foshnjërisë së njerëzimit për të cilët krijuese dhe bota ku jetonin ishin të panjohura.

Qysh nga etapat më të lashta të periudhës së zymtë parahistorike, njeriu e ka bërë varrimin e të vdekurve të vet, gjë që këtë rit nuk e hasim të asnjë kafsh apo krijes tjetër e gjallë. Ritet e varrimit i hasim në të gjitha periudhat në të kaluaren tonë të lashtë. Këto rite paraqesin shenjë religjioziteti, respekti dhe dashurie.

Pas periudhave të shumta të quajtura sipas epokës së njeriut: homo spelancae, homo neandertalensis, homo pitekantropus erectrus, homo faber, homo sapiensis etj., shohim se kemi të bëjmë më shfaqjen e njeriut të arësyeshem, që ka moralin dhe ndërgjegjen, jo më ndonjë kafshë qe nuk mendon dhe qe nuk posedon tërësinë shpirtërore ashtu siç e ka njeriu. Kafsha nuk është areligjioze dhe asnjëherë nuk mund të ket përkatësi as identitet religjioz. Ndër gjitha krijesat vetëm njeriu i mbledh dhe i ruan me kujdes skeletet dhe reliktet e të vdekurëve me respekt religjioz. Pse mbetjet e kufomës së njeriut nderohën dhe meritojnë respektin e të gjallëve?

Shpirti i arësyeshëm i njeriut zbuloj gjuhen, shkrimin, krijoj kulturen, artin, filozofin etj. Monumentet e parara të pashkruara dhe të shkruara ndër kulturat e lashta, fort bindshem na flasin mbi religjionet, mbi kultet, bestytnitë e shumta të njeriut i cili kërkonte kuptimin e jetës duke shprehur kërkimin e jetës pas vdekjes. A mund të paramendohet kultura, arti dhe jeta e njeriut pa religjion?

Historia nuk njeh ndonjë periudhë pa religjion dhe as një popull nuk njihet si jo religjioz. Të gjitha ndjenjat dhe vlerat estetike njeriu i vënte në shërbim të hyjnive dhe përjetimet religjioze përpiqej t’i shprehi në forma dhe mënyra të ndryshme, qofshin ato përmes ndërtimit të objekteve të kultit, pikturës, skulpturës, muzikës, letërsisë etj. Mjafton ta përmendim Olimpin pagan të periudhës antike i cili ishte i stërngarkuar me idhuj të shumtë dhe me një struktur politeiste si formë e posaçme e religjionit u shfaq te të gjithë popujt e lashtë ashtu siç ishin psh. popujt që jetuan në Mesopotami, Egjipt, Grqi, Romë etj. Psh. sipas politeizmit të egjiptasve të lashtë, e tërë bota është e mbushur plot e përplot me perendi. Ata aderonin si perendi jo vetëm njerëzit e mëdhenj si psh. faraonët etj. por edhe krijesat tjera si psh. Diellin, detin, lumenjtë etj., pastaj Gilgameshi, ep i njohur i babilonasve, politeizmi grek, romak etj. Asnjë ceremoni e popujve të lashtë nuk bëhej pa kushtuar flijime për nder të hyjnive të cilët ndaheshin në hyjni të mirë dhe të këqijë, të luftës dhe paqës, të dritës dhe të errësirës. Jo vetëm që i nderonin hyjnit por ata e kishin edhe ndjenjen e frikës, dyshimit dhe pasigurisë ndaj tyre. Janë këto religjione natyrore me një ndjenjë të stërmundimshme për t’ia dalë në krye me betejën rreth të mires dhe së keqës, jetës dhe vdekjes. Në zemren e vet njeriu çdoherë kishte një parandjenjë mbi lindjen e re, mbi jetën pas vdekjes se nuk do të shfaroset përgjithmonë. “Fara e amshimit që njeriu e bartë në vetvete, nuk mund të reduktohet vetëm në materie, sepse ajo e kundërshton vdekjen” (GS,18).

Kamenicë: Monument mortor - relief i skalitur në gurë me shfaqje të një procesioni varrimi i një të vdekuri (shek. V – IV p. Kr.)

Njeriu është religjioz jo pse këtë e kërkon dikush, por për arësye se në shpirtin e vet është i tillë. “Të gjithë njerëzit e kan të mbjellur në zemren e vet besimin në Zotin. Gënjejnë ata njerëz kur thonë se nuk besojnë, sepse kur vjen nata, kur janë në vetmi dyshojnë - thotë, Seneka filozof. Do të ishte mohues i vetvetes sikur njeriu të mos kërkoj kuptimin dhe qellimin përfundimtar të ekzistencës së vet. Në këtë drejtim njeriu është kërkimtar i palodhur i cili kërkon si i urituri që bënë luftë për bukën e përditshme. Mu për këtë religjioni i tejkalon të gjitha kuptimet dhe definicionet e kufizuara të njeriut. Kjo tregon se nevoja religjioze, malli për ta kërkuar burimin e ekzistencës së vet është esenca thelbësore që buron nga nevojat dhe ligjet e brendshme shpirtërore të tij. Kjo e përcakton natyrën, kulturën, sjelljen si dhe të ardhmën e njeriut. Kjo nevojë e domosdoshme nuk është fryt i mendjes, pjellë e imagjinates shpikëse të njeriut. Ky afsh i ngrohtë i zemrës e tejkalon çdo aftësi dhe imagjinatë njerëzore. Çka do të ishte njeriu sikur mos ta ndërroj drejtimin e jetës së vet për ta kërkuar misterin e jetës dhe të vdekjes, burimin e lirisë dhe dashurisë për ta “nxjerrur biletën” për tu kthyer në “atëdheun” e vet të përjetësisë?

 FENOMENI I RELIGJIOZITETIT

 Viktor E. Frankël, psikiater, neurolog dhe ligjërues i logoterapisë në univerzitetin e Vjenës, në librin e tij “Bog Podsvijesti-Psihoterapija i Religija “, Zagreb 1985, zbulon se fenomeni i religjiozitetit dhe joreligjiozitetit të njeriut është çështje e vetëdijes dhe nënvetëdijes së tij. Nëse njeriu është ateist i vetëdijeshem, atëherë ai është teist i nënvetëdijeshem - thot ai. Autori i librit thotë se në jetën e njeriut nuk sundojnë vetëm instiktet e nënvetëdijeshme ashtu siç pohonte Frojdi. Ai nxjerr në pah tezën se në thellësinë e qenies së njeriut pos instinkteve të nënvetëdijeshme gjendet edhe përshpirtëria e nënvetëdijeshme. Në bazë të kësaj mund të thuhet se ateisti beson shumë më tepër se sa mendon, kurse teisti mund të besoj më pak se sa vepron. Për këtë V. Frankël ateizmin e konsideron devijim të njeriut.

Nga kjo mund të thuhet se devijimi ateistik është histori e gjatë dhe shumë e lashtë i trashëguar qysh heret. Si pikëpamje filozofike, shkencore dhe fetare, ateizmi filloj të zihët në gojë me të madhe qysh në shek.VI para Krishtit. Për të bënë fjalë shkrimtarët dhe filozofët e hershëm siq ishin: Sofokliu, Herakliti, Protagora, Epikuri, Demokriti etj., të cilët e shpallën njeriun homo mensura - njeriu masë e të gjithave. Ateizmi gjatë periudhes antike dhe mesjetare si botëkuptim i mohimit të Zotit i kuptuar qoft në aspektin filozofik, motilogjik dhe teologjik, ishte çështje e individuale.

Ky devijim e përcolli mendjen hulumtuese të njeriut gjatë tërë shekujve deri në ditët e sotme. Kjo shmangie ateistike, që nga shek.19 u bë projeksion i zmadhuar i ideologëve “vizionarë bashkohorë” të cilët e deshten botën pa religjion, pa Zotin ku do të mbretëronte një “religjion” tjetër, e kjo është: mbretëria e mendjes, diturisë, shkencës, teknikës dhe filozofisë. Kjo njeriun e qoj aq lag në të kaluarën tonë sa që shtetët që vendosen sisteme ateiste dhe shekujt që u shenuan me këtë mendësi u shpallën si “shekuj të ateizmit“ ku Zoti ishte shpallur i vdekur (Nietzsche). Pse? Për shkak të dëshires së madhe të njeriut për të sunduar si zot. Ideali për ta krijuar njeriun e ri - “mbinjeriun” nuk u realizua, por solli vuajtje dhe fatëkeqësi njerëzimit me pasoja shkatërrimtare duke shkaktuar dy luftëra të përgjakshme botërore. Shumë njerëz të infektuar me këtë shkurtëpamësi shkonin andej kah frynte era e kohës duke besuar me naivitet syve të masës. Disa tjerë e ngritën zërin e tyre mohues aq larg kundraj fesë dhe Zotit sa që e quajtën vetën “armik personal të Zotit”. Duke u bazuar në pohimet se Zoti nuk e ka krijuar njeriun, por, përkundrazi, njeriu e ka krijuar Zotin në përgjasim me vetvten sipas  dëshirave, aspiratave, nevojave të veta etj. Nëna parti do të ishte ajo që do ta krijoj njeriun ri të shumëpritur duke e zhdukur përgjithmonë shfrytëzimin e njeriut prej njeriut. 

“TREGU” I RELIGJIONEVE TË SOTME

Tani “izmat” - socilizmi, komunizmi, racizmi etj. kan rënë ku një shtresë e shoqërisë e përjetonin vetveten si qytetar pa Zotin. Ato kohëra i kujtojmë si paradoksale, të paarësyeshme, si kohëra të ateizmit naiv. Ndërsa sot, në hapësirat ku ka munguar liria e fesë, të gjithë duan të quhen religjioz. Bile askush sot nuk dëshiron të shpallet ateist. Edhe ata njerëz që deri dje e mohonin fenë, tani kultivojnë ndjenja religjioziteti, admirojnë religjionet, idhujt dhe kulet e ndryshme etj.

“Tregu” i religjioneve të sotme në botë është i lirë, është i pasur më shumë se kurdoherë me religjione, sekte të shumta, me levizje të reja religjioze ku shumë prej tyre janë në pikën ekstreme të veprimit negativ dhe veprojnë si mallë i pagarantuar dhe i pakontrolluar qe shitët në tregun e zi.

Duke i dhënë përparësi formës së jashtme dhe afekteve që sundojnë arësyen, e jo thelbit të fesë, religjioziteti mund të bëhët negativ dhe tejet i dëmshem. Atëherë kur sundohet zëri i arësyes së shëndoshë, kur mendja bie në kundërshtim me ndjenjat religjioze dhe morale, atëherë religjioziteti bëhët i paarësyeshëm, banal dhe i pamoralshëm qe nuk sjellë shije as shpresë dhe duke humbur mendjen njeriu beson pa autokritikë me logjikë të gabuar dhe të sëmurë. Këtë e dëshmojnë vetëvrasjet e shëmtuara të njerëzve nëpër botë me motive të ulëta religjioze të cilët kan rënë në ekstremizëmin radikal që adhurojnë më shumë vdekjen se sa jetën. A ka të bëjë kjo me religjiozitetin, me arësyen e njeriut të shëndoshë? A nuk është kjo devijim, paaftësi religjioze për ta reformuar vetveten dhe për t’u integruar në rrjedhat globale të kohes së re?

Të adhurosh vdekjen do të thotë te jesh kundër jetës, dhe si vampir i natës të ushqehesh me vrasjen, me gjakun e njerëzve të pafajshem. Përcaktimi i njeriut për vdekjen është mishërim i së keqës, është plotësisht rënie në dredhinë e djallit dinak. A nuk është kjo patologji e llojit të vet? Atëherë, kush është njeriu i sotem religjioz? 

Sipas studimeve të sociologëve, sot religjioziteti është në zgjim. Shumë njerëzve duke iu imponuar pyetja: Në çka besoj unë që nuk besoj, thonë se më rëndësi është të besosh në diçka për të mos qendruar neutral. Për këtë gjë Tomë Akuini thoshte se ndryshe nga feja, shpresa dhe dashuria, kulti me primesa religjioze ka për qellim aktet kulturore dhe mënyrat e jashtme të religjiozitetit e jo Zotin e vërtetë.

Sot koha e ateizmave të mëdha ka përfunduar. Mirëpo, nuk ka parfunduar koha e një ateizmit tjetër e ky është: religjioziteti ateist, mënyra e të jetuarit si ateist praktik - pa Zotin e vërtetë. Ky ateizëm i sotëm ka marrë qëndrim tejet liberal dhe është bërë si ideologji e re e shkëputur nga konteksti i së vërtetës dhe kërkon: Liri të pakufizuar dhe dëshirën për të bërë çka të duash. Rrënjët e ateizmit praktik fillojnë atëherë kur cenohët “pema” - ndërgjegjja e cila duhët të qendroj e paprekur, e pastër dhe e papërlyer, sepse ”ndërgjegjja është zëri i Zotit në njeriun” (Shën Augustini). Shtypja, brejtja e ndërgjegjes e bënë religjionin dhe religjiozitetin e pamoralshëm dhe cenon virgjërinë shpirtërore, lirinë e personalitet dhe e bënë njeriun të burgosur dhe të skllavëruar brenda vetvetes. I burgosuri i tillë me ndërgjegje të shtypur dhe të rrënuar pandërprerë zihet dhe të hahet me vetveten dhe me njerëzit tjerë. Kjo njeriun e bënë të pa kënaqur, grindavec si fëmiu i parahatshëm qe grindet me të gjithë. Mu për këtë, rrethë ndërgjegjës nuk bëhët pazarë sepse ajo i ka parimet e veta të shëndosha. Në të kundërten, religjioziteti mund të jet fasadë e jashtme formale, folkloristikë popullore dhe zë i zhurmshëm që nuk qonë askund dhe në tërësi i padobishëm për njeriun. Ka shumë religjione, por është vetëm një moral.

Të gjitha reformat shoqërore dhe fetare sa do të mëdha qofshin ato nëse nuk e kan përfshi ndërgjegjen, shpirtin e njeriut të zymtë dhe të rrënuar janë të pasuksesshme dhe shprehje e krizës religjioze dhe shoqërore - shprehje e ateizemit të llojit të vet. Mëkatet mortare të shoqërisë së sotme moderne janë: Pasuria pa punë, kënaqësia pa ndërgjegje, dituria pa karakter, shkenca pa humanitet, afarizmi pa moral, politika pa principe, dhe religjioni pa skrifica – thotë Dalaj Lama.

Deri të rënia – të ateizmi praktik, domethënë atëherë kur nuk jetohet në ujdi me veprimin e parimeve morale, vihet dinakërisht dhe shumë lehtë. I joshur nga dhelpëria e tundimeve, njeriu i bën dredhi “diplomatike” ndërgjegjes së vet. Dhe, pasi bie në kurdisjen e kësaj loje rrethë ndërgjegjës, atëherë i qelen sytë dhe sheh se është i mashtruar, i goditur rëndë, i zhveshur shpirtërisht, i rjepur moralisht dhe i mashtruar fetarisht.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat