Më 5 shtator shugurohet Katedralja “Nënë Tereza”

Religjion

Më 5 shtator shugurohet Katedralja “Nënë Tereza”

Më: 15 korrik 2017 Në ora: 14:14
Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës

Më 5 shtator të këtij viti do të bëhet shugurimi i katedrales “Nëna Tereza” në Prishtinë, dhe ky është akti përfundimtar me të cilin objekti vihet në shërbim të Zotit dhe popullit.

Kështu u tha sot në një konferencë për media të organizuar nga Ipeshkvia e Kosovës, në të cilën u shpalos programi për shugurimin e katedrales “Nënë Tereza”.

Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës me këtë rast tha se me shugurimin e katedrales po realizohet një nevojë e kamotshme e kishës vendore në Kosovë.

Gjergji: Realizohet një dëshirë dhe nevojë e kishës vendore

“Me këtë realizohet një dëshirë dhe ëndërr do të thosha e kamotshme dhe një nevojë e kamotshme e kishës vendore në Kosovë, sidomos e shkëlqesisë së tij tashmë të ndjerit Imzot Mark Sopi, ipeshkvit i cili është angazhuar me mish e me shpirt për ndërtimin si dhe të presidentit historik të Kosovës, doktor Ibrahim Rugovës, por edhe shumë miqve dhe bashkëpunëtorëve të tjerë“, tha Gjergji.

Ai ka bërë të ditur se Papa Françesku ka emëruar përfaqësuesin personal të tij për shugurimin e shenjtërores Nëna Terezë dhe ai është kardinali shqiptar, Ernest Troshani.    

Me rastin e shugurimit të Katedrales është bërë edhe stema, e cila është simboli i ngjarjes, e cila për brezat e ardhshme do të jetë si dëshmi për atë çka ka ndodhur. Don Shan Zefi ka shpjeguar domethënien e stemës së krijuar nga i riu Lin Halili. Sipas Zefit, katedralja e paraqitur brenda dy krahëve të shqiponjës simbolizon kishën dhe popullin që kanë lindur Nënën Terezë.

Zef: Katedralja brenda dy krahëve të shqiponjës simbolizon popullin dhe kishën

“Katedralja brenda dy krahëve të shqiponjës simbolizon popullin dhe kishën që e ka lind Nënën Tereza, e cila qëndron në ballë të katedrales duke bekuar vendin, popullin dhe kishën e vet. Krahët e shqiponjës siç po shihen janë me ngjyrë të bardhë pasi që tani populli ynë jeton në paqe dhe liri, por mbi të gjitha ato i bënë të shndritshme rrezatimi i dritës së dashurisë me të cilën Nënë Tereza ka shndritur zemrat e njerëzve në mbarë botën”, tha ai.

Ndërsa, Don Lorenc Sopi duke e konsideruar këtë  ngjarje është shumë të rëndësishme për gjithë popullin shqiptar, tha se  kremtimi për shugurimin e Katedrales “Nënë Tereza” do të fillojë më 26 gusht, në ditën kur është edhe ditëlindja e Nënë Terezës. 

Sopi: Ftoj të gjithë të marrin pjesë në kremtim

“Kremtimi do të fillojë më 26 gusht, në ditëlindjen e Nënës Terezë dhe në ditën e gurthemelit të ndërtimit të katedrales me takim në ora 18:00 në Katedrale në lutje dhe meditime mbi Nënën Terezë. Kjo jo vetëm se do të ndodhë në Prishtinë, por sigurisht që të gjithë ftohen që të marrin pjesë në Prishtinë, ndërsa për të gjithë të tjerët do ta kenë mundësinë që të njëjtën gjë për të bërë në bashkësitë e veta katolike, të shpërndarë në të gjithë Kosovën nëpër famullin tonë“, tha Sopi.

Ndryshe, inaugurimi i katedrales” Nënë Tereza” është bërë më 26 gusht të vitit 2010, ndërsa ndërtimi i saj kishte filluar në vitin 2011. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat