Kujtime nga festimet e zojës së Trieshit

Religjion

Kujtime nga festimet e zojës së Trieshit

Nga: Gjekë Gjonlekaj/ New York Më: 30 shtator 2017 Në ora: 21:41
Trieshi

Lufta e Lepantos solli një prej fitoreve më të mëdha në historinë e Evropës. Flota detare e Venedikut dhe Spanjës e kishin dërmuar keq flotën detare otomane të luftës. Ky triumf i madh evropian u njoftua më 7 tetor të vitit 1571. Evropa kishte lutur natë e ditë Zojën e Bekuar për  këtë fitore. Ishte lutur Zojës në qiell  për shpëtimin e këtij kontinenti nga pushtimi barbar i hordhive turko-otomane. Lutjet e tyre kishin kontribuar shumë për shpëtimin e qytetërimit të këtij kontinenti. Kisha Katolike e kishte shpallur  ditë fetare të veçantë 7 tetorin dhe qysh atëherë e sot kjo ditë festohet me ceremoni e meshë kudo në botën katolike. Kjo ditë në kalendarin e Kishës  është pagëzuar me emërin "Zoja Rruzare". Mijëra famulli nëpër botë u pagëzuan me këtë emër të dashur. Kështu ishte emëruar edhe kisha e vendlindjes sime.  "Zoja Rruzare" e Trieshit festohej gjithëmonë te dielën e parë të Tetorit në mënyrë madhështore me miqë e bija, me  nipa dhe mesa. Banorët autokton të Trieshit  e kishin festuar këtë ditë për shekuj të tërë. Ajo pjesë e Trieshit që kishte prejardhjen prej Ba Keqit festonte Ditën e Sh'Njonit më 29 gusht, ashtu siç festonte dhe Hoti, pasiqë këta kishin qënë një vëllazëri. Lutja e ndarë e kësaj feste kishte krijuar situata të papërshtatshme për Trieshin. Por paria e vëndit kishte kërkuar nga autoritetet e larta fetare që krejt Trieshi ta festonte Zojën Rruzare të dilën e parë të tetorit. Ata që kishin festuar Sh'Njonin kishin hequr dorë nga festa e tyre më 29 gusht. Edhe pasardhësit e Ba Keqit kishin pranuar si festë të tyre Zojen Rruzare.

Kjo marrëveshje kishte qënë akti më simbolik i bashkimit të Trieshit. Kjo vepër e madhe u realizua në gjysmën e dytë të shekulit XIX, siç duket me rastin e 300-vjetorit të fitores së Lepantos. Kuvendi dhe Paria e Trieshit kishin  arritur dy marrëveshje historike. Marrëveshja e parë që krejt Trieshi të festonte Zojën Rruzare dhe Marrëveshja e Dytë që kjo ditë të festohej gjithëmonë të dielën e parë të tetorit. Ky vendim nuk u shkel ansjëherë për pothuajse një shekull e gjysmë. Këtë vendim të lartë njerëzor e kishin arritur burrat më të përmendur të Trieshit të cilët kanë lëne gjurmë në historinë e atyre trojeve. Këtë vendim e kishin  pëlqyer edhe autoritet e larta fetare të asaj kohe. Ky vendim nuk është lëkundur asnjëherë deri sot. Diaspora e Trieshit në Amerikë e feston Zojën Rruzare më mirë se asnjë krahinë tjetër për faktin se është në fund të javës (during the weekend). Edhe amerikanët shumicën e festave kombetare I kremtojnë në fund të javës ku përfshihet edhe dita e hënë. Ato festa që kremtohen gjatë ditëve të punës këtu në Amerikë janë në shuarje e sipër sepse ndërhynë për ata që përgatiten për festë dhe për ata që shkojnë për të fëstuar. Vendimi i Trieshit në atë kohë kishte qënë shumë pragmatik ashtu siç kishin qënë edhe vendimet amerikane. Djali i vëllaut tim Tomë Gjonlekaj që është larguar nga Trieshi 47 vjet më parë  në moshën 4-vjeçare e feston Zojën e Trieshit  dy ditë e netë me miqë e bija nga vende të ndryshme  të Amerikës.  Ai e fillon festimin të shtunën dhe vazhdon deri të hënen në mëngjez. Ai e nderon shumë këtë traditë fisnike të Trieshit. Kështu i ka edukuar edhe pasardhësit e tij.
 
Zoja e Trieshit festohet gjithmonë në fillim të tetorit, që natyrisht është muaji më I frytshëm i gjithë vitit. Tetori është muaji i motit të mirë. është muaji i bereqetit i bagëtisë së majme sidomos i deshëve për fërlik. Gjatë këtij muaji bjeshkatarët ulen në vërri. Ështe muaji i rrushit dhe verës e rakisë, sadoqë në Triesh nuk bëhët rrushi. Në kohën time kjo ishte festa më e dashur dhe më e bukur e vendit. Entuziazmi për këtë festë ishte më i madh se për çdo festë tjetër të motmotit. Në atë kohë, Zoja  e Trieshit festohej tri ditë e netë. Fillonte të shtunen në mbrëmje dhe merrte fund të marten. Miqtë largoheshin të  marten,ndërsa bijat e mesat mund të qëndronin dy javë dhe më shumë. Trieshi ishte shumë i kujdeshëm që pritjet e miqëve të ishin në nivelin më të lartë. Në Triesh muaj të tërë flitej në lidhje me përgatitjet e kësaj feste. Burrat bënin meremetime të mëdha në shtëpitë e tyre. Ata i lyenin shtëpitë  me gëlqere. Gratë shkonin tek krojet për të larë rrobet dhe teshat  e shtëpisë sidomos ato të shtretërve. Ato pastronin për bukuri oborret e shtëpive dhe rrugët aty afër.  Pjesën më të madhe të artikujëve ushqimorë  i kishin të vetat, por ato që mungonin I blenin në Podgoricë.  Trieshi e blente rakinë e verën në Fundna të Kuçit. Ata ishin të njohur për kualitetin e mirë të këtyre dy pijeve tëpër të rëndësishëm për festimin e Zojës së Trieshit. Buka,mishi,djathi e rakia e vera ishin të domosdoshme. Gratë e fëmija i pëlqenin shumë petullat e mjaltën. Djathërat e ndryshme të bjeshkës kishin shijet të veçanta. Miqtë e Zojës së Trieshit  e pëlqnin shumë mazën e bjeshkës dhe djathin e ziem. 

Trieshi ishte i njohur edhe për patate të mira. Mishi i dashit i pjekur në fërlik kishte rëndësi të veçantë, ky ishte kryesori (main course).
Pjekja e fërlikut ishte një punë e vështirë dhe delikate. Ata që e merrinin përsipër këtë punë ishin serioz sepse kjo punë kërkonte durim dhe kujdes të veçantë. I Zoti i shtëpisë bënte muhabet me miqë, ndërsa ata që ishin më të ri pinin e këndonin edhe më shumë se duhej, këtë nivel entuziazmi ua shtonte rakia. Në Zojë të Trieshit  vinin për festë rapsodët më të njohur të Malësisë. Me ta vinte edhe Pjetër Mark Mirdita. Ata ishin lahutarë të njohur.  Disa të tjerë këndonin këngë për maje krahu. Edhe bijat këndonin së bashku siç kishin kënduar në kohërat e vajzërisë në malet tona. Ato evokonin kohën e vajzërisë. Disa burra nga Hoti e Gruda ishin karakteristikë për veshjet e tyre kombëtare. Në kët mes dallohej  Pjetër Uci, Kolë Gjo'Nikë Shabi, Lekë Gjoni dhe Selman Juku, pastaj Nikollë Zeli e Mark Zeli të bijtë e Zef Miliqit. Kënga dhe hareja, natën e Zojës vazhdonte deri në orët e vona të mëngjezit. Shumica e miqëve flinin deri vonë,ndërsa njerëzit e shtëpisë ngriheshin heret në mëngjez për shërbimet  e drekës. Pas drekës Ditën e Zojës së Trieshit, i zoti i shtëpisë u printe mysafirëve drejte kishës së vendit për meshë dhe për logun e pas meshës. Bregu i Kishës së Trieshit ishte i madh, pastaj lisat e blinit e bënin edhe më të mrekullueshëm. Në logje këndonin por mund të kishte edhe gara të ndryshme. Por nëqoftë se Trieshi  kishte përjetuar ndonje tragjedi të madhe gjatë atij viti nuk pëlqehej kënga,pavarësisht se familjarët bënin çmos që të gjithë të këndonin dhe të gëzonin ditën e festës. Në këtë log shumë herë janë mbajtur edhe fjalime të rëndesishme politike, sidomos gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Në Triesh kanë shërbyer meshtarë të njohur shqiptarë, por edhe shumë të huaj. Për disa familje nata e dytë e festës ishte edhe më e madhe se nata e parë. Edhe kjo natë vazhdonte me këngë e hare deri në mëngjez. Pas dy ditë e netësh shihej lodhja dhe mund të vihej re qetësia e lodhjes.  Nuk kishte shtretër për të gjithë she shumica e familjes flinte në tokë.

Gëzimi më i madh i kësaj feste ishte prania e bijave e mesave dhe nipave  që vinin për festë nga viset e largëta të Malësisë. Disa nga ato bija ishin martuar larg vendlindjes. Ishin si ato 'doruntinat' e Ismail Kadaresë. Pas mbylljes së kufirit me Shqipërinë kjo  largësi u shkurtua dhe ato nuk shkonin përtej Hotit e Grudës ose Kojës e Luharit. Pjsëmarra e burrave të dalluar të Malësisë e bënte festën edhe më të rëndësishe. Përveçë malësorëve katolikë në Zojë të Trieshit vinin edhe malësorët e besimit islam.Trieshi ndjehej mirë për praninë në këtë festë të Sul Brahimit, të Selman Jukut,Ibrahim Demës të Iso Mujit dhe shumë të tjerëve. Në atë kohë marrëshëniet ndërfetare ishin jashtzakonisht të mira. Malësoret e krishterë ishin kryelart për pjesëmarrjen e miqëve malësorë muhamedan dhe anasjells.

Të gjitha festat e krahinave të Malësisë së Madhe ishin një mrekulli, ishin kulmi i gezimit,bujarisë,nderit e respektit familjar e shoqëror. Ato ishin një spektakël i vërtetë. Këto institucione jetuan nëpër shekuj dhe riorganizimi i tyre sidomos në trevat tona do të ishte një rilindje e dyte e traditës më fisnike të maleve të Malësisë.  Ata që punojnë sinqerisht për rilindjen e këtyre festave bëjnë punë të mirë fetare e kombëtare. Bota sot po investon shumë për ringritjen e këtyre institucioneve klasike të fesë, të traditës dhe kulturës kombëtare. Malësorët në disaporë bëjnë shumë për ta ruajtur këtë traditë fisnike. Bile në këto festa të Malësisë shumë herë marrin pjesë edhe personalitete të shquara të shoqërisë amërikane. Ata i pëlqejnë shume festat e malësorëve sidomos pritjen e perzëmërtë dhe të sinqertë të malësorëve shqiptarë. Këto janë pjesë e kulturës dhe qytetërimit të vërtetë evropian. Festat krahinore ringjallin dashurinë për traditën tonë fetare dhe kombëtare. Unë personalisht i kujtoj ato kohëra dhe ato festa me shumë dashuri.  Urime e gëzuar për shumë vjet Zojën e Trieshit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat