Rrugëtimi që lidhi Istogun e dr. Rugovës, me Shkodrën e Gurakuqit dhe Tuzin e Gjo Lulit

Reportazhe

Rrugëtimi që lidhi Istogun e dr. Rugovës, me Shkodrën e Gurakuqit dhe Tuzin e Gjo Lulit

Msc. Adem Lushaj Nga Msc. Adem Lushaj Më 26 korrik 2017 Në ora: 23:00
Turni treditor i shkrimtarëve nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, organizuar nga Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta”

Turni treditor i shkrimtarëve nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, organizuar nga Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta”, pasi kishte filluar në Istogun e dr. Ibrahim Rugovës, ishte nisur drejtë qytetit të kulturës dhe humorit shqiptar, drejtë Shkodrës së Luigj Gurakuqit, e më pastaj edhe në qytetin tjetër shqiptar, në Tuzin e Dedë Gjo Lulit.

Në Shkodër, në këtë qytet të lashtësisë, kishim gjetur mikpritjen shkodrane dhe bukuritë e këtij qyteti, siç është Kalaja “Rozafa”, Liqeni i mrekullueshëm apo Buna gjarpërore. Fillimisht, krijuesit pa dallim nacionaliteti, ishin ndalë në Bibliotekën Kombëtare “Marin Barleti”, ku gjetën pritjen e përzemërt nga zyrtarët e Sektorit të kulturës së Bashkisë së Shkodrës, si: poeti Lulash Brigja, aktoret e shquara të Teatrit, Dana Xhaj dhe Merita Smaja, si dhe nga shkrimtarët vendas, Mimoza Rexhvelaj, Farida Ramadani dhe poet e poete, me perspektiv në letërsinë, jo vetëm shkodrane. Brenda hapësirave të kësaj biblioteke (Biblioteka e qytetit “Marin Barleti”), poetët e tri shteteve, pos prezantimit të vlerave të tyre krijuese, promovuan edhe librin e shkrimtarit të shquar malazez, Radovan Zogoviq, me titull “Këngët e Ali Binakut”, që i kushtohet vuajtjeve të shqiptarëve nga regjimi serbo-sllav, ku referues ishte shkrimtari i njohur nga Mali i Zi, Mirash Martinoviq, i njohur për librin e tij, “TEUTA”.

Image

Edhe kësaj radhe, shkodranët treguan se, pos krijimtarisë letrare, e kanë në shpirt humorin, apo siç e thonë ata, “ushqim të shpirtit”, gjë që i bënë të veçantë krahasuar me qytetet tjera anekënd viseve shqiptare. Sipas tyre, “më parë do rrinë pa bukë, se pa humor”, ngase humori është vet jeta e tyre. Po ashtu, nën shoqërimin e zyrtarit të kulturës dhe poetit të dalluar të këtij qyteti, Lulash Brigja, kishim marrë rrugën drejt Kalasë së qëndresës, Kalasë së Shkodrës “ROZAFA”.

“Rozafa”, edhe pas shumë viteve, me muret e saj, me pamjet mbi hapësirat përreth, nga shihet edhe rrjedha e Lumit “Buna”, na thotë se ishte “Kalaja e Qëndresës dhe e krenarisë shqiptare”. Në orët e mbrëmjes në Shkodër, ishte kënaqësi ta vizitosh të madhin “Ligj Gurakuqi”, të shëtisësh nëpër sheshet e pastra, e të shohësh objektet me arkitekturë antike, të cilat ruajnë krenarinë karshi vizitorëve. Edhe pse ishin orë të vona, mikpritja shkodrane ishte e pashmangshme, siç e dëshmuan edhe qifti bashkëshortor, Mimoza dhe Fahri Rexhvelaj.

Nuk ishte e lehtë të largohesh nga Shkodra, për të marrë rrugë nga qyteti tjetër shqiptar, në atë të Malit të Zi, në qytetin e Tuzit, vendin e heroit kombëtar Dedë Gjo Luli. Por, largimi nga Shkodra, përcillej gjithnjë me shpresën se në një kohë sa më të shkurtër, vizita në këtë qytet të krenarisë shqiptare, do jetë e shpejt. Ndarja nga shkodranët përcillej me një humor të kulturuar, duke dëshmuar se janë me traditë dhe mikpritje!.

Image

Pas kalimit të kufirit tjetër shqiptaro-shqiptar, atij të Hanit të Hotit, gjetëm pritjen e vëllezërve dhe motrave tona, ku bashkëbisedimi me ta, tregon për shkëputjen e kësaj pjesë shqiptare, me viset tjera të shqiptarisë. Fillimisht ia kishim mësy “Muzeut Etnografik të Malësisë apo siç e quan poeti ynë, Mentor Thaçi, “Muzeu i Katërfishtë”, ku ishim nderuar nga pritja e dy veprimtareve të palodhshëm, që të dy rreth moshës 80 vjeçare, Shtjefën dhe Gjyste Ivezaj. Ky qift  bashkëshortor, kishte shkrirë tërë pasurinë e tyre, për grumbullim, klasifikim dhe ruajtje të eksponateve, që tregojnë për historinë  dhe kulturën e lashte shqiptare. Në  hapësirat e jashtme dhe të brendshme të shtëpisë njëkatëshe, tashmë “shtëpinë muze”, ishin të sistemuara veshjet kombëtare, pastaj vegla të lashta pune, armeve dhe eksponate, pothuajse të të gjitha llojeve, që karakterizojnë historinë e lavdishme të këtyre trojeve. Të emocionuar me punën 40 vjeçare dhe të palodhshme të qiftit Ivezaj,  karvani i shkrimtareve kishte vizituar kishën katolike, e më pas kishin mbajtur “Orë letrare”, në prani të shumë tuzianëve, me ç’rast ishte ndarë çmimi tradicional “Teuta”, për shkrimtarin e shquar Moikom Zeço. Ata, (tuzianët) nga mallëngjimi për vëllezërit e tyre nga Kosova dhe Shqipëria, me keqardhje thonë së janë të harruar nga zyrtarët e institucioneve të të dyja vendeve. “Kemi nevojë për aktivitete të përbashkëta ndërshqiptar, ngase kemi mbetur si jetim, të anashkaluar nga institucionet e shtetit Malazez dhe të harruar nga ato shqiptare, si të Shqipërisë, ashtu edhe të Kosovës”, shprehen vendasit e “Komunës” së Tuzit”, të cilët assesi ta harrojnë angazhimin që kishte dikur, për lidhjen e të gjitha trojeve shqiptare, siç e quajnë Ata, ish-presidenti i gjithë shqiptarëve, Dr. Ibrahim Rugova. Gjithnjë sipas tyre, ndërtimi i rrugës që do lidhte komunën e Deçanit, me atë të Plavës, do ishte rrugë që do lidhte, gjitha trojet shqiptare apo më mirë ti themi, “arterie” e zhvillimit dhe e ndërlidhjes rajonale, mes shteteve, Shqipëri-Kosovë-Mali i Zi.

Edhe tuzianët, sikurse vëllezërit e tyre shkodran, mbesin me shpresën, se në një të ardhme të afërt, do ketë organizime të ngjashme, ku do të bashkoheshin vëllezërit, do bashkëbisedonin për kulturën dhe zhvillimin e gjithanshëm shqiptar.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat