St. Moritz, aty ku pushojnë pasanikë, politikanë dhe ndonjë plaçkitës

Reportazhe

St. Moritz, aty ku pushojnë pasanikë, politikanë dhe ndonjë plaçkitës

Enver Robelli Nga Enver Robelli Më 16 janar 2018 Në ora: 01:53
Në hotelin «Carlton» në St. Moritz nuk ka dhoma. Ka vetëm suita. Të gjitha me pamje nga liqeni i St. Moritzit. Dhe të gjitha të shtrenjta, më e shtrenjta 18 mijë euro. Për një natë.

Para më shumë se 150 vitesh një hotelist zviceran pati një ide gjeniale: ta bëjmë fshatin e bujqve St. Moritz në fshat ku edhe gjatë dimrit pushon bota. Një histori suksesi, ku dallohet sidomos hoteli «Carlton» - dhe fjala «kulm», e cila domethënë majë. Kjo fjalë latine e ka gjetur rrugën për të hyrë si në gjuhën gjermane ashtu edhe në gjuhën shqipe.

«I dashur mik i vjetër, sërish kam ardhur në Ober-Engadin, për të tretën herë, dhe sërish po e ndjej se këtu dhe askund tjetër është vendlindja ime e vërtetë dhe foleja».
Friedrich Nietzsche, Sils-Maria, qershor 1883

***

Sils-Maria është një fshat zviceran afër St. Moritzit, i cili u bë i njohur këto ditë në Kosovë për arsye tashmë të ditura. Dikur kjo krahinë, e njohur me toponimin Engadin dhe e ndarë në Unter-Engadin dhe Ober-Engadin (Engadini i Poshtëm dhe Engadini i Epërm), tërhiqte filozofë e shkrimtarë, të cilët kërkonin qetësi për të pushuar dhe për t’u inspiruar. Njëri ndër turistët e parë që erdhi në Sils-Maria ishte filozofi i madh gjerman Friedrich Nietzsche. Në shtëpinë e familjes Durisch në Sils-Maria Nietzsche kaloi shtatë vera – më 1881 dhe nga viti 1883 deri në vitin 1888. Nietzsche kishte bërë një kurë të pasuksesshme në Recoaro te Italisë dhe në fillim të korrikut të vitit 1881 erdhi në Engadin. «Këtu (…) ndihem më së miri në botë». Nietzsche këtu shpresonte se do të shëronte dhimbjet e kokës, një lloj migrene e shoqëruar edhe me të vjella. Shëtiste çdo ditë mes 5 dhe 7 orë. Natyrisht duke mbajtur shënime. Këtu Nietzsche zhvilloi konceptin themelor për veprën e tij «Kështu foli Zarathustra».

***

Këtu po veçojmë disa porosi nga kjo vepër monumentale e filozofit gjerman:
«Ai që bindet nuk e dëgjon veten».
«Përgjërimi ynë për një mik është tradhtari ynë. Dhe shpeshherë, me dashurinë tonë ne duam vetëm ta kapërcejmë zilinë. Dhe shpeshherë, ne sulmojmë dhe i bëjmë vetët tona armiq, vetëm për ta mbajtur të fshehur ndjeshmërinë tonë».
«Ti thua se një kauzë e mirë do ta shenjtërojë madje edhe luftën! Unë të them se një luftë e mirë është ajo që e shenjtëron çdo kauzë».
«A jeni ju një skllav? Atëherë ju nuk mund të bëheni një mik. A jeni ju një tiran? Atëherë ju nuk mund të keni miq».
«Një ditë ti duhet të dashurosh përtej vetes tënde! Prandaj, fillimisht mëso të dashurosh. Dhe për këtë ti duhet ta pish gotën më të hidhur të dashurisë tënde».

***

Legjenda thotë se në një ditë shtatori të vitit 1864 Johannes Badrutt po bënte muhabet në St. Moritz me disa turistë anglezë në hotelin e tij të quajtur «Kulm». Kjo fjalë latine domethënë «majë» dhe e ka gjetur rrugën për të hyrë si në gjuhën gjermane ashtu edhe në gjuhën shqipe. Mysafirët anglezë përtonin të ktheheshin në Londrën depresive të mbështjellë nga mjegulla. Badrutt u tha turistëve anglezë të vinin në dimër për të shijuar diellin dhe temperaturat e përshtatshme. Kështu lindi turizmi dimëror në St. Moritz. Në vitin 2014 u shënua 150-vjetori i turizmit dimëror. Legjenda e vitit 1864 vazhdon. Anglezët erdhën në dhjetor të atij viti, pasi Badrutt u kishte premtuar se nëse s’arrijnë të dalin së paku një ditë në natyrë pa pallto dhe kapelë, atëherë do t’ua mbulonte shpenzimet. Pak para Krishtlindjes katër anglezë të pasur udhëtuan mbi saja të tërhequr nga kuajt dhe përmes Qafës së Julierit (Julierpass) arritën në St. Moritz. Duke kaluar këtë qafë mali ata i dogji dielli. Johannes Badrutt konsiderohet pionier i turizmit dimëror të Zvicrës. Me idetë e tij ai entuziazmonte dhe joshte shumë turistë. Drita e parë elektrike e Zvicrës ndriçoi më 1878 sallën e restorantit të hotelit Kulm. Badrutt kishte vizituar atë vit Ekspozitën Botërore në Paris ku kishte parë se si funksionon energjia elektrike. Sapo u kthye në St. Moritz ndërtoi një hidrocentral.

***

Hoteli «Carlton», ku po dyshohet se festat e fundit i kaluan disa kosovarë, hapi portat në sezonin dimëror të vitit 1913/1914. Me rritjen e numrit të turistëve u shtuan edhe kërkesat për hotele, për luks, për jetë mondane, për aktivitete kulturore dhe sidomos sportive. Që nga atëherë hoteli ka kaluar nëpër faza të mira dhe të vështira – varësisht nga zhvillimet në politikën botërore. Në kohërat e paqes, kuptohet, vijnë më shumë mysafirë, në kohëra krizash e luftash më pak. Një legjendë thotë se «Carlton» u ndërtua si rezidencë verore për Carin Rus Nikollai II, pinjoll i dinastisë së Romanovëve dhe nip i Carit Aleksandër II. Sipas të gjitha gjasave Cari Nikollai nuk ka fjetur kurrë në Carlton, por kjo nuk ka qenë pengesë për menaxherët e hotelit dhe arkitektët që të mbajnë gjallë në këtë ndërtesë një frymë aristokrate ruse. Llambadarët e tavanit duket se janë marrë nga pallatet aristokrate të Shën Petërburgut. Edhe logoja e hotelit – një shqiponjë dykrerëshe – është simbol i carit rus. Si në shumë hotele të St. Moritzit edhe këtu pushojnë pasanikë, politikanë – dhe ndonjë plaçkitës. Në hotel gjuha që dëgjohet shpesh është rusishtja. Dikur në St. Moritz pushonin filozofë e shkrimtarë si Theodor W. Adorno, Alfred Andersch, Walter Benjamin, Gottfried Benn, Paul Celan, Jean Cocteau, Friedrich Dürrenmatt, Max Frisch, Hermann Hesse, Karl Kraus, Thomas Mann, Robert Musil, Rainer Maria Rilke, Kurt Tucholsky. Tani këtu vijnë politikanë me kuletë të trashë, yje të Hollywoodit si Sharon Stone, por më së shumti në aeroportin e St. Moritzit aterrojnë me avionë e tyre privatë pasanikët e botës, shpesh oligarkë nga bota lindore. Hoteli «Carlton» është pronë e miliarderit gjerman Karl-Heinz Kipp, i cili vdiq vitin e kaluar në moshën 94-vjeçare.

***

St. Moritz dhe rajoni i Engadinit i takojnë kantonit Graubünden, vendlindje e pakicës retoromane. Pjesëtarët e kësaj pakice flasin retoromanisht, një nëngrup i gjuhëve romane. Vendasit flasin edhe gjermanisht, por u pëlqen që turistët t’i përshëndesin me fjalën e bukur «Allegra». Filologu zviceran Iso Camartin në lidhje me këtë përshëndetje shkruan: «Zvicra është një vend i bukur, i karakterizuar nga shumë kushte të favorshme jetësore. Zviceranët dhe zviceranet konsiderohen si natyra të rezervuara, serioze, të qeta dhe të druajtura. Lumturia e tyre assesi nuk mund të lexohet në fytyrat e tyre në çdo vend dhe në çdo orë të ditës. Tani takon dikë, i cili thotë: Me këtë ai thotë: ti i ke të gjitha arsyet të gëzohesh! Të jesh i lumtur! Ta kesh lehtë! Ec përpara i kënaqur dhe plot dëshirë! Përqafoje jetën! Freskohu! Vazhdo me disponim të mirë! Që të ndihesh mirë! Çfarë përshëndetje e bukur! Për keqardhje që shumë pak bashkëkombës kuptojnë gjuhën retoromane!» Përkthyer në shqip «Allegra» domethënë: u gëzofsh! Fillimisht, siç nënvizon Camartin, formula tingëllonte kështu: «Dieu t’allegra!» – zoti të gëzoftë! Në një vend kaq të bukur si St. Moritzi nuk është befasi që dy herë janë mbajtur Lojërat Olimpike Dimërore.

***

Në hotelin «Carlton» nuk ka dhoma. Ka vetëm suita. Të gjitha me pamje nga liqeni i St. Moritzit. Dhe të gjitha të shtrenjta, më e shtrenjta 18 mijë euro. Për një natë. Enterieri përbëhet nga qelqi Murano (një grup ishujsh në verilindje të qytetit të vjetër të Venedikut), mobilie të stilit të Luigjit të XVI, dekor tajlandez, divane dhe pllaka që i përngjajnë metros së Parisit. Hoteli ka dy restorante. Në restorantin «Romanov» (Romanoff) ofrohet ushqim tradicional i rajonit të Engadinit, ndërsa në restorantin italian «Da Vittorio St. Moritz» – kuptohet – kuzhinë italiane. «Da Vittorio St. Moritz» është degë e restorantit «Da Vittorio», i cili gjendet në Brusaporto të Italisë dhe së fundi nga «La Liste 2017» është zgjedhur ndër dhjetë restorantet më të mira në botë.

***

Në Sils-Maria, fare afër St-Moritzit, Friedrich Nietzsche pushonte nën fuqinë shëruese të rrezeve të diellit, hante vezë e hoshaf, pinte qumësht dhe çaj. Motrës së tij Elisabeth Nietzsche i shkroi: «Më duket se jam në Tokën e Premtuar. Për herë të parë kam një ndjenjë lehtësimi. Këtu dua të rri gjatë». Natyra e bukur, burimet minerale, klima alpine mahnitin edhe sot çdo vizitor. Kur në shekullin e ’19 kompozitori gjerman Richard Wagner pas një ecjeje 11-orëshe arriti te akullnaja e Rosegut, ai këtu pa «shenjtërinë e vetmisë». Në gusht të vitit 1893 në St. Moritz erdhi shkrimtari i famshëm francez Marcel Proust. Në prozën e tij poetike «Présence réelle» ai shkroi: «Dashuruam njëri-tjetrin në një vend të humbur të Engadinit, i cili bart një emër dyfish të ëmbël, tingujt mahnitshëm të thellë të gjermanishtes humbin në ekstazën e rrokjeve italiane. Rreth e rrotull janë tri liqene çuditërisht të blerta, të cilat gjenden mes maleve me bredha». / dialogplus.ch/

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat