Ekskluzive nga Marin Mema/ Zbuloni Kodrionin e lashtë të Ilirëve, ndodhet pranë

Reportazhe

Ekskluzive nga Marin Mema/ Zbuloni Kodrionin e lashtë të Ilirëve, ndodhet pranë

Më: 10 maj 2018 Në ora: 23:49
Marin Mema

Kalaja e Irmajt është një nga monumentet e rëndësishme të trashëgimisë historike që ndodhet jo larg qytetit të Gramshit. Muret imponuese që sot janë ende të dallueshme dëshmojnë sipas arkeologëve se periudha mes shekujve të IV dhe të II para erës sonë është më thelbësorja në jetën e këtij vendbanimi. Qyteti i lashtë në një pjesë është i mbrojtur nga natyra, ndërsa në tjetrën përmes mureve të larta.

Në gërmimet e kryera në vitin 1960 dy arkeologët Dhimosten Budina dhe Frando Prendi përcaktuan se ky qytet ilir ka patur një pozicion strategjik në rrugët e kohës, çka i ka garantuar një zhvillim të konsiderueshëm. Të parët që u tërhoqën nga rrënojat ishin Hasan Ceka dhe arkeologu italian Sestieri që në vitin 1942 e vizituan këtë vend të veçantë e kaq pak të njohur. Sigurisht qyteti ilir ka disa faza ndërtimore, siç është normale për qendra të tilla. Edhe objektet e shumta arkeologjike të zbuluara i përshtaten këtij realiteti të mbivendosur përgjatë shekujve.

Image

 

Në Irmaj siç dëshmojnë arkeologët Prendi e Budina në një botim të revistës Iliria, të vitit 1972 u gjetën edhe vegla pune prej hekuri dhe guri, që do të thotë se fillesat e kësaj qendre duhen kërkuar në kohë edhe më të hershme. Në çdo rast jeta e organizuar e qytetit nis pikërisht nga gjysma e dytë e shekullit të IV para erës sonë. Monedhat e gjetura me Filipin e II të Maqedonisë dhe Aleksandrin e Madh tregojnë për tregtinë e dendur me qytete e krahina të tjera siç janë Apollonia, Dyrrahu, Amantia, Bylisi e gjithë Iliria jugore e po kështu Maqedonia e lashtë. Këtu ka patur edhe punishte të prodhimit të qeramikës, vegla të ndryshme, çka dallohet edhe nga ngjyrat e hekurit.

Është interesant fakti se jeta në kalanë e Irmajt ka vijuar edhe në mesjetë, ndoshta zhvillimi nuk ka qenë i njëjtë, por të dhënat tregojnë se banorë ka patur. Pjesa më enigmatike lidhet me emrin e dikurshëm të këtij qyteti. Me shumë gjasa ai ka qenë Kodrioni i lashtë, qytet i fisit ilir të dasaretëve që përmendet nga historianët e lashtësisë Polibi apo Tit Livi. Me siguri mund të thuhet se ai është lënë jashtë vëmendjes e në këto kushte më shumë është vizituar nga kërkuesit dhe trafikantët e objekteve arkeologjike, sesa nga turistët dhe organet përkatëse.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat