Probiotikët dhe roli i tyre në parandalimin e diarreve

Shëndetësia

Probiotikët dhe roli i tyre në parandalimin e diarreve

Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 17:37
Foto ilustrim

Diarretë janë një shqetësim mjaft i shpeshtë që shfaqen pothuajse tek të gjitha grupmoshat. Shfaqja e tyre bëhet mjaft e shpeshtë gjatë ditëve të nxehta, por edhe në rastet kur udhëtojmë. Fëmijët janë ata që vuajnë më shumë nga diarreja. Një ndihmë të madhe në qetësimin e këtyre shqetësimeve jep edhe përdorimi i probiotikëve. Në vijim të shkrimit mjekja Ilda Xhelili tregon llojet e probiotikëve  dhe ndihmën që ato japin në trajtimin dhe lehtësimin e simptomave të diarreje.

Çfarë janë probiotikët?

Probiotikët janë baktere, ose mykra që gjenden në trupin tonë dhe veçanërisht këto i mendojmë si mikrobe që shkaktojnë sëmundje, por trupi ynë është plot me baktere, “të mira” dhe “të këqija”. Probiotikët zakonisht quhen “baktere të mira”, ose të “dobishme” sepse kontribuojnë pozitivisht në shëndetin tonë. Në mund t’i gjejmë probiotikët si shtojca në shumë ushqime, veçanërisht te kosi, i cili u rekomandohet shumë personave që kanë probleme me tretjen. Kur dëmtohet flora bakteriale normale e organizmit tonë (për shembull pas marrjes së antibiotikëve) probiotikët shtesë ndihmojnë në rregullimin dhe përmirësimin e saj. Ato ndihmojnë në balancimin e baktereve “të mira” dhe “të këqija” duke siguruar funksionimin e rregullt të organizmit.

Si klasifikohen?

Llojet e probiotikëve janë të shumta. Ndër më  kryesoret do të përmendja “Lactobacillusin”, që është edhe probiotiku më i zakonshëm. Është pikërisht ky që gjendet në kos dhe në ushqime të tjera të fermentuara. Lactobacillet ndihmojnë shumë personat që vuajnë nga diarreja dhe që kanë probleme me tretjen e laktozës, sheqerit dhe qumështit. Një tjetër lloj është dhe “bifidobacterium”, i cili gjendet në disa produkte të qumështit dhe që ndihmon shumë në lehtësimin e simptomave të sindromit të zorrës së irrituar. Ndërsa “saçharomyces boulardi” është një lloj majaje që duket se ndihmon mjaft në luftën kundër diarresë dhe problemeve të tjera të tretjes.

Ku e japin konkretisht ndihmën e tyre probiotikët?

Siç e theksova edhe më lart, ato ndihmojnë kryesisht në qetësimin e diarresë dhe të sindromit të zorrës së irrituar.  Sipas hulumtimeve të fundit mendohet se ato ndihmojnë edhe në luftën kundër diarresë infektive (shkaktuar nga baktere, viruse ose parazitë), parandalimin e alergjive, përmirësimin e klinikës së ekzemave të lëkurës, në infeksionet urinare dhe vaginale, në ruajtjen e shëndetit oral (të gojës).

Sa i sigurt është përdorimi i tyre?

Në përgjithësi ushqimet dhe shtesat probiotike mendohet të jenë të sigurta për njerëzit. Megjithatë, në disa raste me probleme të sistemit imunitar, ose me probleme të tjera të rënda shëndetësore, probiotikët nuk duhen marrë. Në disa raste, efekte të tilla anësore, si: fryrje barku, gazra mund të shfaqen në dy-tre ditët e para të marrjes së tyre. Ato gjithashtu mund të shkaktojnë reaksione alergjike. Prandaj është më mirë që probiotikët të merren me këshillën e mjekut sipas problematikës që shfaqet. Përveç kësaj duhet theksuar se jo të gjithë probiotikët mund të lehtësojnë diarrenë. Madje disa prej tyre ndihmojnë vetëm në lloje të caktuara të diarresë. Ndaj dhe përdorimi i tyre në çdo rast është mirë të bëhet sipas udhëzimeve të marra nga mjeku specialist.

Por cilat janë këto raste?

Studimet kanë treguar që ato janë veçanërisht të dobishme tek diarretë e fëmijëve shkaktuar nga “rotaviruset”. Probiotikët në këto raste mund të shkurtojnë periudhën e diarresë infektive deri në dy ditë. Një përzierje e disa probiotikëve të ndryshëm mendohet se mund të veprojnë më mirë në këto raste. Siç e dimë antibiotikët përdoren për vrasjen e baktereve që shkaktojnë sëmundje në organizmin tonë, por gjithashtu gjatë kësaj “lufte” ato vrasin edhe bakteret e “mira” duke shkaktuar kështu prishjen e florës bakteriale normale të trupit tonë. Kjo prish në thelb balancën e florës normale të zorrëve tona duke shkaktuar diarre. Sipas studimeve, nëse marrim probiotikë gjatë dhe pas trajtimit me antibiotikë, do të zvogëlohen gjasat për të zhvilluar diarre, por kjo duhet t’i lihet gjithmonë gjykimit të mjekut, edhe pse probiotikët mund të merren pa recetë në farmaci, apo edhe në dyqanet ushqimore.

A vlen përdorimi i probiotikëve kur jemi në udhëtime?

Probiotikët ndihmojnë në qetësimin e diarresë që shfaqet gjatë udhëtimeve. Këto diarre shfaqen kur ndërmarrim udhëtime të largëta që duhet të ndryshojmë komplet regjimin e përditshëm individual ushqimor. Dihet që ambientimi kërkon kohë dhe mund të shoqërohet me diarre dhe probleme të tjera të sistemit të tretjes. Përveçse, në këto raste ekziston mundësia e përdorimit të ujit dhe ushqimeve të kontaminuara (sidomos kur udhëtojnë në vende të pazhvilluara që kanë probleme me higjienën).  Probiotikët janë gjithashtu pozitive edhe në trajtimin e diarreve infektive të shkaktuara nga bakteret “clostridium difficile”. Diarretë në këto raste janë të rënda, nganjëherë edhe kërcënuese për jetën.

Po në rastin e kolitit, sa efektiv është përdorimi i probiotikëve?

Këto baktere shkaktojnë gjithashtu edhe një infeksion të zorrës së trashë që njihet pothuaj nga të gjithë me emrin ,”kolit”,  pikërisht probiotikët mendohet se ndihmojnë në pengimin e rishfaqjes së infeksioneve të shpeshta dhe kronicizimin e tyre. Kjo është mjaft e rëndësishme pasi infeksionet kronike bëhen jashtëzakonisht të vështira për t’u mbajtur nën kontroll. Probiotikët mund të ndihmojnë gjithashtu edhe në trajtimin e kolitit ulceroz, një formë e sëmundjes inflamatore (infeksioze) të zorrëve, apo edhe në lehtësimin e sëmundjes “Morbus Crohn”.  Sikundër e theksuam, probiotikët mund të merren si shtojcë që gjendet në formë pluhuri, lëngje ose kapsula të gatshme, si dhe nëpërmjet ushqimeve të caktuara.

Probiotikët ndihmojnë në :

Qetësimin e diarresë dhe sindromit të zorrës së irrituar.

Luftën kundër diarresë infektive (shkaktuar nga baktere, viruse ose parazitë).

Parandalimin e alergjive.

Përmirësimin e klinikës së ekzemave të lëkurës.

Në infeksionet urinare dhe vaginale.

Në ruajtjen e shëndetit oral (të gojës).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat