Në cilën periudhë janë më të rrezikuara gratë shtatzëna të infektuara me Covid?

Shëndetësia

Në cilën periudhë janë më të rrezikuara gratë shtatzëna të infektuara me Covid?

Më: 1 tetor 2021 Në ora: 15:18
Ilustrim

Roza Qoja nga fshati Gjader i Lezhës, mbrëmjen e të martës u paraqit në urgjencën e Lezhës, por me përkeqësimin e gjendjes shëndetësore u soll në Tiranë. Roza, 4 muajshe shtatzënë doli me COVID dhe për disa ditë ishte trajtuar në kushte shtëpie. Në spital shkoi kur ajo u rëndua, por fatkeqësisht nuk e fitoi betejën me sëmundjen.

Mjeku obstetër-gjinekolog, Redi Hoxhallari në deklaratë për Report TV ka folur për rrezikun që iu kanoset grave shtatzëna që infektohen me Covid, pas vdekjes të 33 vjeçares Roza Qoja në muajin e katërt të shtatzanisë nga koronavirusi ditën e sotme.

Hoxhallari shprehet se gratë shtatzëna me COVID, pas javës së 35 shfaqin më tepër problematika.

"Me rritjen e moshës së barrës rriten dhe komplikacionet normale tek një paciente shtatzënë që është pa sëmundje. Sigurisht që edhe COVID kalohet pak më me vështirësi dhe me më shumë problematika tek gratë shtatzëna që janë afër termit, pra pas javës së 35 të shtatzënisë", shton Hoxhallari.

Sa i përket vaksinimit, gjinekologu rekomandon gratë shtatzëna që të vaksinohen.

"Në lidhje me vaksinimin paradoks i madh është fakti që ne për shkak të bisedave familjare, shoqërore kemi më shumë frik vaksinën sesa sëmundjen, është diçka shumë e gabuar. Normalisht të gjitha pacientet shtatzëna duhet të vaksinohen, ato që nuk janë vaksinuar duhet të vaksinohen sepse është shumë e rëndë le të themi komplikacionet e lidhura me sëmundjen sesa le të themi problematikat hipotetike ne lidhje me vaksinimet", thekson mjeku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat