​A jemi ende në një pandemi?

Shëndetësia

​A jemi ende në një pandemi?

Më: 31 tetor 2022 Në ora: 19:05
Ilustrim

Koronavirusi është kthyer në një infeksion viral endemik, me të cilin bota do të jetojë për breza të tërë, tha kreu i komisionit të përhershëm gjerman për vaksinimin, Thomas Mertens.

Në një intervistë për televizionin bavarez, Mertens kujtoi se një pjesë e madhe e popullsisë gjermane tashmë ishte infektuar, kishte marrë vaksinën ose të dyja.

"Pastaj, sigurisht, pyetja është nëse ne jemi ende në një pandemi apo jo," tha Mertens, duke shtuar se pyetja mund të jetë më e rëndësishme në një kuptim psikologjik sesa shkencor.

“Por sigurisht, mund të thuhet se ndërkohë është kthyer në një infeksion viral endemik, i cili do të qëndrojë me ne për breza të tërë”, tha Mertens.

Ai shtoi se detyra mbetet mbrojtja e atyre që janë në rrezik të sëmuren, me vaksinim, por edhe me maska.

Një sëmundje konsiderohet endemike nëse është e pranishme përherë në një rajon, me një numër afërsisht konstant të sëmurësh, si për shembull, gripi.

Mertens shpjegoi se një pandemi është kur një patogjen i panjohur globalisht depërton në popullatë, me të cilin njerëzit nuk kanë përvojë imune.

Ai tha se një situatë e tillë nuk ekziston më dhe se “shkalla e sëmundjes nuk është pjesë e përkufizimit të një pandemie”.

Nga ana tjetër, qeveria gjermane deklaron se asgjë nuk ka ndryshuar.

“Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur shfaqjen e koronavirusit në vitin 2020 si një pandemi dhe vetëm OBSH mund ta rishikojë këtë vlerësim”, tha të premten një zëdhënëse e ministrisë së shëndetësisë.

Ndryshe, OBSH së fundmi rikonfirmoi se bota ndodhet ende në pandemi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat