​Nëse i bëni këto 8 gjëra çdo ditë, keni një rrezik më të lartë të demencës

Shëndetësia

​Nëse i bëni këto 8 gjëra çdo ditë, keni një rrezik më të lartë të demencës

Më: 4 dhjetor 2022 Në ora: 18:24
Foto ilustrim

Demenca ose një çrregullim degjenerativ i trurit që prek përgjithësisht të moshuarit është një problem shëndetësor serioz dhe në rritje.

Sipas hulumtimit të fundit të publikuar në revistën Lancet Public Health, numri i njerëzve me demencë do të rritet në pothuajse 153 milionë deri në vitin 2050, një rritje prej gati 200 për qind.

Siç raportohet nga Eat This, disa zakone të jetesës mund të rrisin ndjeshëm rrezikun e kësaj sëmundjeje.

Nuk flini mjaftueshëm

“Gjumi cilësor është çelësi për të hequr nënproduktet që grumbullohen në trurin tuaj gjatë ditës dhe nivelet e ngritura të të cilave lidhen me sëmundjen e Alzheimerit”, thotë Ellie Busby, një dietologe e regjistruar, e specializuar në gjenetikën e Alzheimerit.

Sipas të dhënave të hulumtimit nga Klinika e Alzheimerit në Britaninë e Madhe, është treguar se disa modele të gjumit në vitet e mëparshme të jetës mund të ndikojnë në shfaqjen e demencës disa dekada më vonë.

Studiuesit ndoqën tetë mijë njerëz në të 50-at dhe zbuluan se ata që flinin mesatarisht gjashtë orë ose më pak çdo natë, kishin një rrezik 30 për qind më të lartë të zhvillimit të demencës në krahasim me njerëzit që flinin shtatë orë ose më shumë.

Nuk bëni ushtrime

Ushtrimi i rrallë ose shmangia e plotë e ndonjë aktiviteti fizik mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të demencës, thotë mjeku Todd Buckingham.

“Hulumtimi që kemi kryer në vitin 2012 tregoi se një nivel më i lartë i aktivitetit fizik total ditor lidhet me një rrezik më të ulët, dhe si pasojë zhvillimin e demencës dhe sëmundjes Alzheimer. Ushtrimet e përditshme ndihmojnë në promovimin e shëndetit të trurit dhe përmirësimin e kujtesës. Gjithashtu rrisin rrjedhjen e gjakut në tru dhe kimikatet e lëshuara gjatë aktivitetit fizik duket se ndihmojnë në uljen e rrezikut të demencës”, shpjegon ai, duke shtuar se nuk duhet shumë stërvitje për të parë ndryshimin.

“Vetëm 10 minuta aktivitet fizik aerobik, si ecja ose çiklizmi, vetëm tri deri në katër herë në javë është treguar se kanë përfitime të mëdha për shëndetin fizik dhe mendor.

Jeni vazhdimisht nën stres

Një studim i vitit 2021 zbuloi se ekspozimi i përsëritur ndaj stresit është një faktor i rëndësishëm në gjasat e një personi për të zhvilluar demencë më vonë në jetë, thonë ekspertët.

Sipas tyre, ky fenomen mund të shpjegohet me veprimin e hormoneve të stresit që mund të çojnë në një sërë ndryshimesh të rëndësishme në trup, ku ndër të tjera përfshihet edhe degjenerimi i trurit.

Ju hani shumë yndyra të ngopura dhe shumë pak yndyrë të shëndetshme

“Yndyrat e shëndetshme janë një burim shumë më i mirë energjie sesa yndyrat e pashëndetshme, dhe hulumtimet tregojnë se një dietë e pasur me yndyra dhe me pak karbohidrate të thjeshta përmirëson funksionin e trurit. Acidet yndyrore omega-3 janë veçanërisht të rëndësishme sepse DHA është treguar se zvogëlon rrezikun e demencës dhe sëmundjes Alzheimer. Nga ana tjetër, yndyrat e ngopura duhet të shmangen. Zvogëloni konsumin e mishit të kuq dhe të qumështit dhe zëvendësojini ato me yndyra të shëndetshme si arra, fara, avokado dhe vaj ulliri”, këshillon Busby.

Ju nuk jeni aktivë socialë

Hulumtimet tregojnë se njerëzit që janë mendërisht dhe socialisht aktivë kanë më pak gjasa të zhvillojnë demencë. Leximi, mësimi i një gjuhe të huaj, luajtja e një instrumenti muzikor dhe përkatësia në një komunitet shoqëror sigurojnë përdorimin aktiv të trurit, i cili, shpjegojnë ekspertët, e mban atë më të shëndetshëm derisa plakemi.

Jeni duke konsumuar shumë natrium

“Konsumimi i tepërt i ushqimeve të kripura, të konservuara ose të përpunuara që përmbajnë sasi të mëdha natriumi mund të kontribuojë në hipertension ose presion të lartë të gjakut. Me kalimin e kohës, hipertensioni i pakontrolluar mund të dëmtojë enët e vogla të gjakut në tru, të cilat mund të ndikojnë në të menduarit dhe kujtesën, ose të rrisin ndjeshëm rrezikun e demencës”, paralajmëron dietologia Molly Robinson.

Ju nuk e kontrolloni diabetin ose nivelet e sheqerit në gjak

Injorimi i simptomave që tregojnë diabetin ose nivelet e larta të sheqerit në gjak, mund të ketë pasoja të rënda në shëndetin tonë dhe ndër të tjera mund të rrisë shumë rrezikun e demencës.

“Enët e gjakut dhe nervat mund të dëmtohen nga diabeti dhe sheqeri i lartë në gjak. Ky dëm jo vetëm që rrit rrezikun e demencës, por edhe sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru”, shpjegon Robinson.

Po e teproni me alkoolin

Edhe pse hulumtimet kanë treguar se shijimi i herëpashershëm i një gote verë të kuqe mund të ndihmojë shëndetin tuaj, ekspertët paralajmërojnë se pirja e tepërt e rregullt mund të shkaktojë demencë.

“Në fakt, konsumimi i tepërt i alkoolit çdo ditë mund të rrisë presionin e gjakut, gjë që çon në goditje në tru, dhe gjithashtu rrit rrezikun e demencës”, shton Robinson.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat