Koha është me rëndësi thelbësore për trajtimin e goditjes në tru

Shëndetësia

Koha është me rëndësi thelbësore për trajtimin e goditjes në tru

Më: 10 dhjetor 2023 Në ora: 08:15
Foto ilustrim

Shkencëtarët e Universitetit të Kalifornisë në Los Angeles, gjetën se sa më shpejt të lirohen arteriet kryesore nga bllokimi tek pacientët me goditje të rënda në tru, aq më të mëdha janë shanset e shërimit, madje mjekët kanë një mjet për hapjen më shpejt të arterieve. Pllakëzat e mpiksura të gjakut në arteriet kryesore pengojnë rrjedhjen e gjakut në tru, dhe pa furnizim me gjak, qelizat e trurit fillojnë të vdesin, prandaj koha është me rëndësi thelbësore për trajtimin e goditjes në tru.

“Është e rëndësishme që pacientët të njohin shenjat e goditjes në tru dhe të shkojnë sa më shpejt në spital, po ashtu edhe mjekët duhet  t’i trajtojnë ata sa më shpejt”, thonë studiuesit.

Dr. Jeffrey Saver analizoi rezultatet e trajtimit të mbi 1,000 pacientëve që kishin kaluar goditje ishemike akute, ku një arterie kryesore bllokohet. Bashkë me studiues të tjerë ai zhvilloi prova klinike, nga të cilat doli se trombektomia, heqja e këtyre bllokimeve, e shoqëruar me ilaçe, i përmirëson mjaft mundësitë e shpëtimit dhe të shërimit.

“Nëse arteria hapet 3 orë pas goditjes, 65 për qind e pacientëve do të mund të jetojë në mënyrë të pavarur tre muaj më vonë. Nëse arteria hapet 8 orë pas goditjes, vetëm 45 për qind e pacientëve do ta kenë këtë fat. Koha e ndërhyrjes ndikon shumë”, thotë dr. Saver.

Goditja në tru është shkaku i dytë kryesor i vdekjeve në botë dhe i treti që shkakton paaftësi fizike, prandaj ky studim mund të ndryshojë mënyrën e trajtimit të sëmundjes, sidomos tani që mjekët e dinë sesa pak kohë kanë në dispozicion për të ndihmuar pacientët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat