Ja nga cilat ilaçe rrezikohet foshnja juaj?

Shëndetësia

Ja nga cilat ilaçe rrezikohet foshnja juaj?

Më: 14 janar 2018 Në ora: 13:19
Foto ilustrim

Shtatzënat ftohen më shpesh se sa gratë të cilat nuk janë në pritje të ëmbël. Kjo ndodh për shkak se sistemi imunitar është më pak i fuqishëm gjatë shtatzënisë. Fatkeqësisht, për këtë shtatzënat janë më të ndjeshme ndaj sëmundjeve.

Cilat ilaçe mund ti përdorni gjatë shtatzënisë?

Nëse jeni shtatzënë dhe e ftohur, shmangni përdorimin e ilaçeve pa këshillim paraprak me mjekun apo gjinekologun. Shumica e antihistamineve, dekongjestiveve dhe ilaçeve kundër kollës nuk duhet përdorur, përveç nëse ua rekomandon mjeku. Sipas rregullit, këto ilaçe nuk janë testuar në shtatzëna dhe mund të ndikojnë negativisht te bebi. Në shumicën e rasteve mund të përdoret acetaminofeni për dhembje më të lehta apo për kokëdhembje, por duhet shmangur ibuprofeni dhe aspirina.

Çfarë shkakton përdorimi i tyre te bebet

Përdorimi i medikamenteve për aciditetin e lartë gjatë shtatzënisë shkakton astmë te fëmijët. Një studim i cili ka grumbulluar të dhëna nga tetë studime vëzhguese ka arritur në përfundimin se rreziku i astmës në fëmijëri u rrit me 34 për qind kur nëna përdorte frenuesit e pompës proton dhe 57 për qind me përdorimin e antagonistëve të receptorit të histamine-2.

Këto medikamente konsiderohen të sigurta për trajtimin e sëmundjes së refluksit, një ndërlikim i zakonshëm ky gjatë shtatzënisë. Por studimi zbuloi se përdorimi i tyre lidhet direkt me astmën që shfaqet tek fëmija. Autorët e studimit nga Universiteti i Mjekësisë në Kinë kanë bërë të ditur se studime të mëtejshme klinike të vëzhgimit janë të nevojshme për të konfirmuar këto rezultate, përpara se të jepen rekomandime për kufizimin e këtyre barnave gjatë shtatzënisë.

Por sipas tyre ky studim "mund të ndihmojë mjekët dhe prindërit që të përdorin kujdes kur të vendosin nëse duhet të marrin mjekim për uljen e acidit në stomak gjatë shtatzënisë për shkak të rrezikut të astmës te fëmijët".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat