Pse vetëvriten njerëzit?

Shëndetësia

Pse vetëvriten njerëzit?

Nga: Michael Shermer Më: 13 tetor 2018 Në ora: 07:41
Ilustrim

Robin Uilliams (63), Kërt Kobein (27), Ernest Heminguej (61), Alan Turing (41), Virginia Ulf (59), Vincent Van Gogh (37-vjeç). Kur të keni përfunduar leximin e kësaj liste njerëzish të ndjeshëm, që humbën jetën si pasojë e vetëvrasjes, diku tjetër në botë një person tjetër do të ketë bërë të njëjtën gjë, rreth 1 person në çdo 40 sekonda (rreth 800.000 në vit), duke e bërë vetëvrasjen ndër shkaqet kryesore të vdekjeve në SHBA dhe jo vetëm.

Pse? Sipas psikologut të shquar Xhesi Bering i Universitetit të Otagos në Zelandën e Re, në librin e tij të spikatur “Pse vrasim veten”, “çështjet specifike që çojnë një person të caktuar të vrasë veten janë po aq të ndryshme, sa edhe ADN-ja e tyre –  që përfshin zinxhir ngjarjesh, që një ekspert e quan “marramendëse në shumëllojshmërinë e vet”.

Lista e shkurtër e mësipërme, përfshin njerëz me një diversitet moshash, profesionesh, personalitetesh dhe gjinish. Depresioni zakonisht shfaqet në shumë raste të vetëvrasjes, megjithatë shumica e njerëzve që vuajnë nga depresioni nuk vrasin veten (vetëm rreth 5 për qind e tyre thotë Bering), dhe jo të gjitha viktimat e vetëvrasjeve janë në depresion.

“Rreth 43 për qind e ndryshueshmërisë në sjelljen vetëvrasëse në mesin e popullatës së përgjithshme, mund të shpjegohet përmes gjenetikës”, raporton Bering “ndërsa 57 për qind i atribuohet faktorëve mjedisorë”.

Pasja e një predispozitë gjenetike për vetëvrasje, e kombinuar me një sekuencë të veçantë të sulmit ambjental ndaj dëshirës së dikujt për të jetuar, i çon disa njerëz të përpiqen të bëjnë të pamundurën që dhimbja të ndalojë. Në rastin e Bering, kjo ndodhi fillimisht si një adoleshent homoseksual i mbyllur në vetvete “në një qytet të vogël intolerant në perëndimin e mesëm”, dhe më pas me papunësinë në kulmin e karrierës së tij akademike (suksesi mund të çojë në standarde paarsyeshmërisht të larta mbi lumturinë, të shkatërruara më vonë nga peripecitë e jetës).

Megjithatë, homoseksualët më të shtypur dhe akademikët e papunë nuk duan të vrasin veten. “Në shumicën dërrmuese të rasteve, njerëzit vrasin veten për shkak të njerëzve të tjerë”- shprehet Bering. “Problemet sociale – sidomos një shqetësim shumë i paqëndrueshëm mbi atë që mendojnë të tjerët ose që do të mendojnë për ne, nëse vetëm do të dinin atë që ne e perceptojmë të jetë një gjë e pakëndshme e vërtetë – ushqejnë një zjarr vdekjeprurës”.

Ashtu si shumica e sjelljeve njerëzore, vetëvrasja është një veprim shumëfunksional. Ekspozimi i variablave më të fuqishëm parashikues është i vështirë, veçanërisht për shkak se gjendje të tilla konjitive të brendshme, mund të mos jenë të arritshme edhe tek personi që i përjeton ato.

Ne nuk mund të perceptojmë funksionimin neurokimik të trurit tonë, ndaj proceset e brendshme zakonisht i atribuohen burimeve të jashtme. Edhe ata që përjetojnë ide vetëvrasëse, mund të mos e kuptojnë pse-në, apo edhe se kur një ide mund të shndërrohet në një veprim konkret.

Ky vëzhgim është përforcuar nga Ralf Ljuis, psikiatër në Universitetin e Torontos, i cili punon me pacientët që vuajnë nga kanceri, dhe të tjerë që përballen me vdekjen. “Shumë njerëz që janë në depresion klinik, do të mendojnë se arsyeja se përse ata ndihen ashtu, është për shkak të një krize ekzistenciale rreth kuptimit të jetës, apo që i detyrohet një ngjarjeje relacionale që ka ndodhur”- thotë Ljuis.

“Por ky është atribuimi subjektiv i njerëzve, kur në fakt ata mund të jenë në depresion për arsye që nuk i kuptojnë”. Për shembull, në praktikën e tij klinike ai vëren:”Kam parë shumë raste kur këto kriza ekzistenciale, praktikisht janë zhdukur nën ndikimin e një antidepresanti”.

Ky gabim atributiv, thotë Ljuis, është i zakonshëm:”Në një nivel themelor, ne të gjithë i interpretojmë gabim shkaqet e gjendjeve tona mendore, për shembull, duke bërë përgjegjës për nervozizmin tonë fjalët e thëna nga dikush, kur fakt është se kjo ka nodhur për shkak se jemi të uritur, të lodhur”.

Gjatë konsultimeve me të mbijetuar të tentativave për vetëvrasje, Ljuis vëren:”Ata thonë ’Nuk e di se si më erdhi. Nuk e di se çfarë isha duke menduar”. Kjo është arsyeja se përse parandalimi i vetëvrasjeve është kaq i rëndësishëm:pasi njerëzit mund të jenë shumë bindës në argumentimin se pse ata besojnë se jeta – jeta e tyre – nuk është e vlefshme për t’u jetuar.

Dhe megjithatë gjendja duket radikalisht ndryshe disa muaj më vonë, ndonjëherë për shkak të një ilaçi antidepresiv, ndonjëherë për shkak të ndryshimit të rrethanave, ndonjëherë thjesht nga një ndryshim misterioz i mendjes”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat