Richard Branson gati për fluturimin e parë në hapësirë

Shkencë & Teknologji

Richard Branson gati për fluturimin e parë në hapësirë

Më: 10 korrik 2021 Në ora: 19:45
Richard Branson

Richard Branson, pronar i kompanisë Virgin Galactic po synon të fitojë garën ndaj miliarderit tjetër Jeff Bezos duke u nisur për një fluturim në hapësirë nëntë ditë para tij. Kompania e Bransonit njoftoi javën e kaluar se fluturimi do të bëhet të dielën, më 11 korrik dhe se themeluesi i saj do të jetë në mesin e gjashtë personave në bord.

17 vjet pasi themeloi kompaninë Virgin Galactic, Richard Branson është në prag të përjetimit të udhëtimit në hapësirë.

Branson, i cili mbush 71 vjeç më 18 korrik, e konsideron "shumë të rëndësishme" ta provojë vetë fluturimin përpara se kompania të çojë turistët në hapësirë.

Ai e quan veten Astronauti 001. Branson pritet të niset të dielën (11 Korrik) nga Nju Meksiko, së bashku me dy pilotë dhe tre punonjës të tjerë në bordin e një avioni raketë që do të transportohet në hapësirë nga një aeroplan me dy avionë.

Turizmi hapësinor nuk ka qenë një risi e padëgjuar që kur inxhinieri milioner amerikan Dennis Tito në vitin 2001 pagoi 20 milionë dollarë për t'u bashkuar me një mision hapësinor rus në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Qëllimi i aventurierit Branson ka qenë të "demokratizojë" hapësirën duke hapur rrugën për udhëtime për më shumë njerëz. Përpjekja e tij filloi në vitin 2004 kur Branson njoftoi themelimin e kompanisë Virgin Galactic pas fluturimeve të SpaceShipOne, anijes së parë të financuar privatisht që bëri tre fluturime në hapësirë. Në atë kohë, ai parashikoi që fluturimi i pasagjerëve të parë në hapësirë do të realizohej në vitin 2007.

Por një aksident fatal i një fluturimi provë në vitin 2014 vrau njërin nga dy pilotët e tij dhe e sprapsi projektin.

Virgin Galactic tashmë ka fluturuar në hapësirë tre herë me pilotë. Kompani bëri fluturimin e saj të tretë në hapësirë në muajin maj, me dy pilotë në kabinën e anijes.

Branson do të fluturonte më vonë këtë vit në të dytin nga tre fluturimet provë të planifikuar nga Virgin Galactic përpara fluturimit të pasagjerëve vitin e ardhshëm. Por në fund të javës së kaluar, zoti Branson njoftoi se do të nisej më herët për në hapësirë.

Gara fitimprurëse për të çuar turistë në hapësirë e vendos Bransonin kundër njeriut më të pasur në botë, Jeff Bezos i cili do të niset nëntë ditë pas tij nga Teksasi Perendimor me një kapsulë tërësisht të automatizuar së bashku me tre të tjerë.

Branson këmbëngul se ai nuk po përpiqet të konkurrojë me Bezosin dhe se kjo nuk është një garë. Megjithatë njoftimi i tij erdhi vetëm disa orë pasi Bezos bëri të ditur se ai do të shoqërohej në hapësirë nga astronautja 82 vjeçare Wally Funk.

Megjithatë, ata po konkurrojnë për t’u bërë personi i parë që fluturon me raketën e tij në hapësirë dhe që përjeton tre deri në katër minuta pa peshën e gravitetit.

Virgin Galactic kohët e fundit mori miratimin e Administratës Federale të Aviacionit për të filluar nisjen e turistëve në hapësirë.

Më shumë se 600 njerëz tashmë kanë rezervuar një udhëtim të tillë. Biletat fillimisht kushtonin 250,000 dollarë, por çmimi pritet të rritet pasi kompania të fillojë të pranojë përsëri rezervime./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat