Një alternativë natyrale për të zëvendësuar bukën e peshkut

Shkencë & Teknologji

Një alternativë natyrale për të zëvendësuar bukën e peshkut

Më: 29 janar 2022 Në ora: 22:22
Një kompani në Kaliforni ka prodhuar një lloj bukë peshku

Një kompani në Kaliforni ka prodhuar një lloj bukë peshku miqësore për mjedisin që mund të ndryshojë gjithçka në industrinë e paketimit.

Polistireni, një material plastik që përdoret për paketim, i njohur në gjuhën popullore si bukë peshku, është një produkt i zakonshëm prodhuar nga një material biologjikisht i patretshëm dhe i vështirë për t'u ricikluar. Për më tepër, ajo copëtohet në pjesë më të vogla dhe përfundon lehtësisht në det, ku mund të gëlltitet nga peshqit.

Por tashmë një kompani në Kaliforni ka prodhuar një lloj më miqësor me mjedisin, nga një substancë e gjendur në guackat e gaforreve dhe karkalecave të detit.

Në dallim nga buka e peshkut, kjo është e tretshme biologjikisht.

"Ja arritëm të marrim atë lloj materiali dhe të zhvillojmë një proces që krijon një shkumë strukturore me parametra të larta funksionaliteti", i tha Zërit të Amerikës John Felts, themelues i kompanisë "Cruz Foam".

Materiali është i lehtë, por mjaftueshëm i fortë për të mbrojtur jo vetëm sende delikate, si paisjet elektronike, por edhe objekte të rënda dhe të shtrenjta, si p.sh. televizorë.

Ajo që motivoi zotin Felts dhe bashkëpunëtorin e tij ishte dashuria e tyre për detin.

Cruz Foam është vetëm një ndër kompanitë e shumta që po u mundësojnë korporatave dhe konsumatorëve të bëhen miqësorë me mjedisin, thotë aktivisti mjedisor Scott Cassel.

"Me pasojat e ndryshimit klimatik, me krizën globale të plastikës, konsumatorët vërtet mendojnë në këtë mënyrë tashmë. Po u kërkojnë kompanive të mendohen më mirë dhe për një periudhë më afatgjatë... Dhe ajo që kompania Cruz Foam ka arritur është një zgjidhje teknologjike interesante dhe novatore që përdor një material të mirë në vend të një materiali të keq", thotë zoti Cassel.

Kompania "Cruz Foam" po zhvillon bisedime me disa korporata amerikane për të plotësuar nevojat e tyre të paketimit.

Kompania shpreson që për të mirën e planetit, do të zëvendësojë një ditë me materiale natyrale të gjitha plastikat me bazë hidrokarbure./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat