Spiralja në qiellin e Alaskës u shkaktua nga derdhja e karburantit të raketës SpaceX

Shkencë & Teknologji

Spiralja në qiellin e Alaskës u shkaktua nga derdhja e karburantit të raketës SpaceX

Më: 19 prill 2023 Në ora: 06:24
Foto ilustrim

Të apasionuarit pas fenomenit “Aurora Borealis”, i njohur ndryshe si dritat veriore, patën fatin të shohin një spektakël në qiellin e Alaskës, kur një spirale blu, e ngjashme me një galaktikë, u shfaq për disa minuta në mes të dritave verirore.

Shfaqja qiellore mëngjesin e së shtunës u ngjasonte filmave fantastiko-shkencorë, me një portal të hapur në skajet e largëta të universit.

Fenomeni u shkaktua nga derdhja e lëndës djegëse të një rakete SpaceX të lëshuar nga Kalifornia rreth tre orë më parë.

Në disa raste, raketat kanë karburant të tepërt që duhet të hidhet, thotë fizikanti i hapësirës Don Hampton, profesor në Institutin Gjeofizik të Universitetit të Alaskës në Fairbanks.

Profesori thotë se kur derdhja e karburantit bëhet në lartësi të mëdha, lënda djegëse kthehet në akull. “Kur kjo ndodh nën rrezet e diellit, dhe toka është e mbuluar nga errësira, mund të shihet një lloj reje e madhe, dhe në disa raste që rrotullohet”. Megjithëse nuk shihet shpesh, zoti Hampton tha se ka parë dukuri të tilla tre herë.

Momentet e rrotullimi u kapën nga kamerat e Institutit Gjeofizik dhe janë shpërndarë gjerësisht duke krijuar një stuhi në internet, tha profesori.

Raketa e kompanisë SpaceX u lëshua mbrëmjen e së premtes nga baza e Forcave Hapësinore Vandenberg në Kaliforni me rreth 25 satelitë në bord. Koha e derdhjes së karburantit dhe fakti që ishte një lëshim polar e bënë spiralen blu të dukshme mbi një zonë të madhe të Alaskës.

Në janar, një tjetër spirale u pa mbi ishullin e madh të Havait. Një kamera në majën Mauna Kea, jashtë Observatorit Kombëtar Astronomik të teleskopit Subaru të Japonisë, filmoi një spirale që rrotullohej në qiell gjatë natës. Studiuesit thanë se ishte krijuar nga dërgimi në hapësirë i një sateliti ushtarak përmes një rakete SpaceX të lëshuar në Florida./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat