Punonjësit tajvanezë në fabrikën e gjysmëpërçuesve në Arizona

Shkencë & Teknologji

Punonjësit tajvanezë në fabrikën e gjysmëpërçuesve në Arizona

Më: 5 nëntor 2023 Në ora: 19:43
Foto ilustrim

Feniksi i Arizonës, në jugperëndim të Shteteve të Bashkuara, është strehë e një fabrike ku do të prodhohen gjysmëpërçuesit tajvanez. Një pjesë themelore e axhendës së Presidentit Joe Biden është që Shtetet e Bashkuara të varen sa më pak nga importi i huaj duke shtuar kapacitetet në vend për prodhimin e pjesëve elektronike që përdoren kudo, që nga telefonat e deri tek makinat. Materiali në vazhdim na çon në Feniks të Arizonës, ku shumë punonjës tajvanezë të zhvendosur për të punuar në fabrikën e gjysmëpërçuesve po përballen me sfidat e jetës në një shtet tjetër.

Adam Liu ka dashur ta përjetojë botën jashtë qytetit të tij të lindjes, Taichung në Tajvan. Gjashtë muaj më parë atij iu plotësua dëshira.

“Kompania ime po dërgonte punonjës në SHBA, kështu që unë zgjodha të vij këtu”.

Liu punon për kompaninë tajvaneze të prodhimit të gjysmëpërçuesve, TSMC, prodhuesi më i madh në botë i këtyre pjesëve elektronike.

Ai është një nga qindra tajvanezët e zhvendosur në Feniks të Arizonës për të punuar në fabrikën e gjysmëpërçuesve.

“Çdo ditë jemi shumë të zënë me gjëra të ndryshme. Në Tajvan ne prodhonim gjysmëpërçues në masë, kështu që duhet të përqendrohemi tek linja e prodhimit. Në Shtetet e Bashkuara, për momentin ende nuk kemi filluar prodhimin, ndaj jemi në procesin e të mësuarit”, thotë për Zërin e Amerikës, Adam Liu, punonjës tajvanez i kompanisë TSMC.]

Fabrika është pjesë themelore e axhendës së Presidentit Joe Biden për të nxitur prodhimin e gjysmëpërçuesve në Shtetet e Bashkuara në vend të importimit të kësaj teknologjie. Fuqia punëtore e kompanisë TSMC në Feniks përbëhet nga amerikanë dhe tajvanezë, çka sjell edhe sfida.

“Jemi mësuar të flasim në gjuhën mandarin dhe tani duhet të flasim në anglisht për të ndihmuar amerikanët me të cilët punojmë, dhe kërkon pak më shumë përpjekje”, thotë Adam Liu.

Julie Sun ka eksperiencë kur flitet për sfidat ndërkulturore. Ajo është mësuese e gjuhës angleze në këtë kishë kineze në Feniks dhe është e martuar me një punonjës të kompanisë TSMC nga Amerika

“Të punosh për kompaninë TSMC nuk është njëlloj sikur të punosh për një kompani amerikane. Pavarësisht nëse është dikush nga Tajvani apo një punonjës amerikan, ata përballen me trysni të caktuara, sepse duhet të mësohen me dallimet gjuhësore, kulturën dhe një tjetër mënyrë jetese”.

Michael Lin, pastor i kishës, e pa nevojën dhe krijoi një klasë të mësimit të anglishtes dhe kulturës për bashkëshortët e punonjësve nga Tajvani.

“Unë e kam kaluar këtë sfidë. Pasi të mësosh, mund të komunikosh me të tjetër pa pengesa”.

Zëri i Amerikës bisedoi me zonjën Ngiok-Phin Chiu, bashkëshorte e një punonjësi të kompanisë TSMC e cila po mëson anglishten.

“Kjo klasë do të më përgatisë për mënyrën se si flasin banorët e Feniksit, dallimet kulturore dhe festat. Pra, këto janë disa nga gjërat me të cilat dua të njihem më shumë”.

Ardhja e banorëve të rinj nga Tajvani e ka ngjalluar biznesin në këtë pjesë të Feniksit, duke i tjetërsuar lagjet në një fshat punonjësish nga kompania TSMC. Austin Calderon menaxhon një restorant pranë fshatit TSMC.

“Ata janë vendosur në komplekse të mëdha apartamentesh, gjë që është e mrekullueshme. Dikur bosh, tani këto pallate gumëzhijnë nga banorët e shumtë”.

Zoti Liu thotë se pas punës ose në fundjavë përpiqet të njihet me rrethinat ku jeton.

“Kudo që shkoj, peizazhi është mbresëlënës, diçka që nuk e kemi në Tajvan”.

Pamja e shkretëtirës jugperëndimore, e cila është po aq e ndryshme nga peizazhi i gjelbër i Tajvanit sa ç 'është gjuha kineze mandarin nga anglishtja./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat