Apple duhet ti paguajë Irlandës 13 miliardë euro

Shkencë & Teknologji

Apple duhet ti paguajë Irlandës 13 miliardë euro

Më: 30 gusht 2016 Në ora: 13:34
Apple

Apple do të detyrohet të paguajë 13 miliardë euro taksa në Republikën e Irlandës, pasi zyrtarët e konkurrencës në Bashkimin Europian vendosën kështu.

Vendimi final është rrjedhojë e një hetimi 3-vjeçar në çështjet e taksave të Apple në Irlandë, të cilat, sipas BE, janë ilegale.

The Financial Times raporton se bëhet fjalë për faturën më të shtrenjtë të gjobës në Europë.

Ministri irlandez i Financave Michael Noonan është shprehur se ai nuk është aspak dakort me këtë vendim, të cilin pritet që Apple ta apelojë.

BBC thotë se kjo shumë është sa buxheti që qeveria e Irlandes cakton për shëndetësinë

Vendimet e marra nga qeveria irlandeze në 1991 dhe 2007, i kanë lejuar Apple të minimizojë faturën e taksave në vend për mbi dy dekada, gjë që bie në kundërshti me ligjet europiane.

Margrethe Vestager, Komisionerja Europiane për konkurrencën, u shpreh se sipas ligjeve të BE, autoritetet kombëtare të taksave nuk lejohen t’i japin përfitime tatimore kompanive të përzgjedhura, pasi ato konsiderohen si ndihma të paligjshme shtetërore. Kështu, sipas Komisioneres, gjigandi amerikan do të detyrohet të paguajë gjobën e majme plus interesat.
Hetimet ndaj Apple e ndaj të tjera kompanive amerikane janë kritikuar nga autoritetet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Javën e fundit, Departamenti i Thesarit në SHBA tha se Komisioni Europian rrezikonte të kthehej në një autoritet taksor mbi-kombëtar, duke shkelur kodet e taksave të shteteve anëtare.

Sipas këtij departamenti, Brukseli po përdor kritere të ndryshme për të gjykuar rastet kur janë të përfshira kompani amerikane dhe ndëshkimet për këto raste janë “thellësisht shqetësuese”.

Në këtë këndvështrim, shqetësimi i Departamentit të Thesarit qëndron në faktin se zhvendosja e biliona dollarëve nga ekonomia dhe taksat amerikane në ekonominë europiane, është e pamerituar pasi puna për krijimin e produkteve të Apple kryhet në SHBA e jo në Europë.

Apple ka deklaruar se ky vendim i Komisionit do të ketë një ndikim të thellë e të dëmshëm përsa i përket investimeve dhe hapjes së vendeve të punës në Europë. Kompania përballet me një faturë të majme, e cila do të jetë vështirë të paguhet edhe pse ajo zotëron rezerva monetare më të mëdha se 200 miliardë dollarë.en në llogaritë bankare.
Analistët thonë se e gjithë kjo situatë ngre në fakt një pyetje shumë më të madhe; kush e drejton botën, qeveritë apo korporatat gjigande?

Sipas tyre, kjo është ende e vështirë për t’u përcaktuar. Qeveritë individuale duken të pafuqishme në përpjekjet e tyre për t’i nënshtruar kompanitë multi-nacionale si Apple nën ligjet e tyre të taksave. Ata kanë sisteme të krijuara për t’u marrë me lëvizjen dhe shitjen e të mirave fizike, sisteme të cilat janë të pavlera kur kompanitë i marrin fitimet e tyre nga shitja e shërbimeve dhe shfrytëzimi i pronës intelektuale.

Në rastin e Apple, 90% e fitimeve të huaja janë ligjërisht të kanalizuara të kalojnë në Irlanë dhe më pas në filiale të tjera ku nuk paguhen taksa. Në të njëjtën kohë, vendet nuk mund të mos pranojnë të bashkëpunojnë me Apple pasi me një vlerë aksionesh prej 600 miliardë dollarë, kompania ofron mundësi punësimi dhe favorizon investime të brendshme shtesë, të cilat është e vështirë që politikanët t’i rezistojnë.

Përpjekja e Komisionit Europian për të detyruar Apple të paguajë, është vetëm maja e ajsbergut sa i përket taksave. Në fund të ajsbergut, qëndron fuqia e kompanive multi-nacionale dhe fuqia e shtetit.
Sipas analistëve, Bashkimi Europian nuk do të ndalet me kaq. Shënjestra e tij e rradhës mund të jetë Google, gjë e cila do të çojë në një betejë të madhe mes Europës dhe gjigandëve të korporatave në Amerikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat