Ngrohja globale, bimët e kafshët në rrezik zhdukjeje

Shkencë & Teknologji

Ngrohja globale, bimët e kafshët në rrezik zhdukjeje

Më: 14 mars 2018 Në ora: 13:33
Foto ilustrim

Pyjet më të mëdha të botës mund të humbasin më shumë se gjysmën e bimëve të tyre deri në fund të shekullit, nëse vendet nuk intensifikojnë përpjekjet për të luftuar ndryshimet klimatike.

Sipas një raporti të ri për pasojat e ngrohjes globale mbi biodiversitetin, gjitarët, amfibët, reptilët dhe zogjtë, po ashtu mund të zhduken në një shkallë katastrofike në Amazonë dhe ekosisteme të tjera të pasura në Afrikë, Azi, Amerikën Veriore dhe Australi, nëse temperaturat rriten me më shumë se 1.5 gradë Celsius.

Kërkimi i botuar në revistën për ndryshimet klimatike ekzaminon pasojat e 3 niveleve të ndryshme të ngrohjes, 2 gradë Celsius, 3.2 dhe 4.5 gradë Celsius, në rreth 80 mijë bimë dhe specie kafshësh, në 35 nga rajonet e botës.

Nëse qeveritë dështojnë të marrin angazhime më ambicioze sesa ato që aktualisht ndodhen në tryezë, raporti parashikon humbje shkatërrimtare për më shumë se 60 për qind të bimëve dhe rreth 50 për qind të kafshëve në Amazonë, në një rritje temperature prej 3.2 gradë Celsius.

Sipas ekspertëve, përfundimet e raportit janë alarmante, edhe pse ata nënvizojnë se parashikime të tilla janë të evitueshme.

Muajin e shkuar, një tjetër studim parashikoi se një shpyllëzim i Amazonës në masën 25 për qind mund të shkaktojë thatësira dhe degradim ambiental në një zonë edhe më të gjerë. Shumë specie janë në rrezik nga faktorë të tjerë, si shkatërrimi i habitateve, rivalët apo sëmundjet. Ndryshimet klimatike u shtohen këtyre kërcënimeve, duke ndezur frikën se një zhdukje masive e gjashtë ka nisur tashmë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat