“As gjysma e Becëve nuk do të votojnë”, Berisha për kandidatin e PS-së në Shkodër: Benet ke bërë gabimin e jetës, je si ujku që lyen këmbët me miell

Shkodra

“As gjysma e Becëve nuk do të votojnë”, Berisha për kandidatin e PS-së në Shkodër: Benet ke bërë gabimin e jetës, je si ujku që lyen këmbët me miell

Më: 2 maj 2023 Në ora: 19:43
Ish-kryeministri Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha ka marrë pjesë ditën e sotme në një takim elektoral me kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Shkodrës, Bardh Spahia.

Nga atje Berisha i është drejtuar kandidatit të PS-së për këtë bashki, Benet Beci, duke i bërë thirrje që të dalë krahas Bardh Spahisë dhe të përballen përpara qytetarëve dhe pyetjeve të tyre.

Ai shtoi se kandidimi i Becit për Ramën që “ka përqëndruar pushtetet si Enver Hoxha” është gabimi i jetës për të, teksa vijoi duke thënë se as gjysma e Becëve nuk do e votojë për të qenë kryebashkiaku i ardhshëm i Shkodrës pasi gjatë kohës kur ishte deputet nuk ka përmendur fjalët “Shkodër apo shkodran”.

Sa i përket shmangies së ngjyrës së PS-së nga ana e Becit dhe zgjedhjes së portokallisë për posterat elektoralë, Berisha u shpreh duke e krahasuar Becin me përrallën e ujkut që lyen këmbët me miell.

“Karshi Bardh Spahisë kandidon përfaqësuesi i Edi Ramës, e meriton këtë që po bëni ju. Megjithatë kjo është njëra anë, tejtra është ftesa ime. Benet hajde këtu bashkë me Bardh Spahinë dhe dilni para qytetarëve dhe jepini llogari për çdo gjë. Përgjigjuni gjithë pyetjeve të qytetarëve të Shkodrës. Me këtë ti dëshmon se ke ndjenjën e përgjegjësisë dhe shlyen deri diku një detyrim. Në atë parlament për ato vite nuk e shqipërove një herë fjalën Shkodër dhe shkodran. Benet, vetëm për këtë, kam bindje se as gjysma e Becëve nuk do të votojnë ty. Benet, kandidimi yt për Edi Ramën që ka pushtetet si Enver Hoxha është gabimi fatal i jetës tënde. Shpirti yt e di çfarë të detyroi të bësh këtë gabim fatal. Di diçka edhe Tom Doshi për këtë detyrim. Meqë u ndala tek Toma, shko tako Senaden, Namikun, zonjën Hafizi, si u flakën si limon i shtrydhur.

Benet, edhe një herë të them, ke bërë gabimin e jetës tënde. të pash një ditë në shesh dhe kishe vendosur një ngjyrë tjetër. Naiv je treguar, por nënat shqiptare u tregojnë fëmijëve përrallën e ujkut që lyen këmbët me miell. ti nuk del edhe për një arsye tjetër që është detyrim. Në çdo vend qeveritarët duhet të dalin para qytetarëve. Ty nuk të lë Edi Rama sepse ai nuk del dot me Sali Berishën përballë. Po e ftoj në çdo takim dhe ikën”, u shpreh Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat