Ashtu siç është bërë traditë, famullia e Shën Shtjefnit organizoi në kalanë Rozafës, meshën e shenjtë të Shën Shtjefnit, pajtorit të qytetit të Shkodrës.
Një traditë kjo e përvitshme dhe këtë vit shënon 12 vjetorin e mbajtjes së meshës së shenjte.
Mesha e shenjtë mes dhjetra besimtarëve katolikë u kremtua nga famullitari i Shkodrës, Dom Artur Jaku.
Gjatë predikimit, Dom Artur Jaku theksoi se duke çmuar historinë dhe trashëgiminë, së bashku duhet të luftojmë për të vërtetën e paqen për të ndërtuar kulturën e pranimit të tjetrit.
“Mbi themelet e trashëgimisë kulturore duhet të ndërtojmë të ardhmen tonë”, apeloi Dom Artur Jaku.
Në 26 Dhjetor kisha katolike përkujton festën e Shën Shtjefnit, pajtor i Katedrales dhe objektit të kultit në kalanë e Rozafës.