Zgjerohet harta e përmbytjeve në Shkodër

Shkodra

Zgjerohet harta e përmbytjeve në Shkodër

Më: 18 mars 2018 Në ora: 17:01
Shkodra

Përkeqësohet situata e përmbytjeve në Shkodër. Sipërfaqja e tokës nën ujë ka arritur mbi 2 420 ha.

Shifrat i bëri të ditura Bashkia, sipas të cilës, janë dëmtuar kultura të dyta, foragjere, jonxhe, bimë dekorative dhe të tjera.

Po sipas Bashkisë, janë mbi 780 ha tokë e përmbytur në Njësinë Administrative të Dajçit, zonë ku qarkullimi bëhet i mundur me mjete të larta.

 Edhe në Njësinë Administrative Ana e Malit, situata paraqitet më e rënduar. Në Obot kalohet vetëm me varka.

Mbi 1200 ha tokë janë të përmbytura dhe niveli i ujit ka pësuar rritje me rreth 40 cm dhe ka tendencë rritjeje. Për shkak të kësaj situate, Ujësjellësi i Oblikës vijon të jete jashtë funksionit.

Furnizimin me ujë të pijshëm për banorët e bën Bashkia Shkodër me anë të dy mjeteve autobote.

Në zonën e Livadheve, në hyrje të qytetit të Shkodrës, ka prezencë uji në rrugën Et’hem Kazazi, ku në një segment prej 10 metrash  ka vështirësi kalimi.  

140 banesa rezultojnë të bllokuara nga uji në të gjithë qarkun, por vështirësi është hasur në baza ushqimore edhe për gjënë e gjallë. Nga Forcat e Ushtrisë vazhdon shpërndarja e ndihmave për banorët e zonës nga rezervat e shtetit, nëpërmjet mjeteve të ushtrisë. 855 pako ushqimore dhe 38 tonë ushqime për bagëtitë është dërguar tek banorët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat