Krimi në Shkodër: Ish-polici u hodh për të mbrojtur…

Shkodra

Krimi në Shkodër: Ish-polici u hodh për të mbrojtur…

Më: 16 korrik 2018 Në ora: 09:42
30-vjeçari Bërcana dhe bashkëjetuesja e tij 25-vjeçare mbetën të vdekur në vend,

Sapo mbërritën poshtë pallatit ku banonin me qira prej 8 muajsh, ende pa fikur dritat e makinës, ish-punonjësi i policisë, Boran Bërcana, dhe e dashura e tij, Silvana Ndoci, u qëlluan për vdekje me armë zjarri.

Nga 23 plumbat e shkarkuar mbi ta, 30-vjeçari Bërcana dhe bashkëjetuesja e tij 25-vjeçare mbetën të vdekur në vend, ndërsa djali i tyre 2 vjeç që ndodhej në makinë ka shpëtuar për mrekulli.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:15 në lagjen “Naim Gjylbegu” në Shkodër, ndërsa gjithçka është zbuluar vetëm 5 orë më pas, kur Policia e njoftuar nga një prej fqinjëve, gjeti dy viktimat brenda në makinën tip “Benz” me targë AA 006 HA. Brenda mjetit, në prehrin e nënës ndodhej edhe djali i vogël i çiftit, shkruan “Panorama”.

Sipas hetuesve, ish-punonjësi i policisë Bërcana, pasi ka parë autorin e krimit me armë në dorë, është hedhur në anën e partneres së tij për ta mbrojtur atë me trupin e tij. Djali i vogël dyshohet se ka qenë në gjumë, në pjesën e pasme të makinës, kur ka ndodhur vrasja e dyfishtë, ndërsa më pas i është afruar nënës së tij i tmerruar nga zhurma e të shtënave. Fëmija i vogël ka qëndruar për rreth 5 orë brenda makinës.

DORËHEQJA

Në vendin e ngjarjes janë gjetur mbi 20 plumba, që janë lëshuar në drejtim të çiftit. Ish-inspektori i krimeve në Pukë, Boran Bërcana, ka marrë plumb në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, ashtu si dhe Silvana Ndoci. 30-vjeçari ka punuar si efektiv në Policinë e Shkodrës, më pas te forcat “Shqiponja”, ndërsa pak kohë ka shërbyer në Pukë.

I riu u largua nga policia duke dhënë dorëheqjen në janar, pak para se të niste procesi i vetingut, por nuk dihet nëse largimi me vullnet i tij ka lidhje me këtë proces. Pas largimit nga Policia e Shtetit, 30-vjeçari qëndroi për dy muaj në Spanjë dhe kishte vetëm 8 muaj që ishte rikthyer në Shkodër bashkë me të dashurën dhe djalin. Ende janë të paqarta arsyet e vrasjes, ndërsa mendohet për ndonjë konflikt të mundshëm që mund të ketë pasur gjatë kryerjes së detyrës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat