Qarkorja, ende nuk janë rregulluar dëmet nga përmbytja

Shkupi

Qarkorja, ende nuk janë rregulluar dëmet nga përmbytja

Më: 3 dhjetor 2016 Në ora: 20:38
Qarkorja në Shkup

Katër muaj pas vërshimeve në Shkup vozitja në qarkoren e qytetit vijon të përbëjë rrezik. Mungon edhe sinjalizimi përkatës për t’i paralajmëruar shoferët se rruga është e dëmtuar. Ekspertët iu bëjnë thirrje autoriteteve kompetente që t’i japin prioritet rindërtimit të qarkores pasi kërcënohet jeta e qindra njerëzve që përdorin këtë rrugë.

Megjithatë, katër muaj pas vërshimeve, shteti më në fund njoftoi për riparimin e dëmeve në këtë unazë. Nga dita e premte është vendosur regjim trafiku për vozitje. Pritet të fillojë rindërtimi i rrugës nga kompania “Transmet”. Tenderi për rindërtimin e qarkores është lidhur në katër sy dhe kap shifrën prej 2.7 milion euro. Nga ndërmarrja publike për rrugë shtetërore para dy muajve sqaruan se “Transmet” ka dorëzuar ofertën më të lirë, ndërsa për shkak të urgjencës nuk ka pasur procedurë tenderi. Në atë kohë u zhvilluan bisedime me pesë ndërmarrje që ishin të interesuara për riparimin e unazës.

“Kur për shkak të urgjencës nuk mund të shpallet kërkesë për grumbullimin e ofertave apo procedura të realizohet me shpallje të publikuar paraprakisht atëherë bisedimet realizohen pa shpallje publike” thuhej në sqarimin e Agjencisë për rrugë shtetërore.

Sipas Byrosë për furnizime publike, “Transmet” vetëm këtë vit ka fituar 8 tenderë nga institucionet shtetërore dhe publike në vlerë të përgjithshme prej 6.4 milion euro. Transmet është kompani e themeluar nga biznesmeni Seat Koçan, i cili u përmend në bombat e opozitës dhe që për momentin është pronar i një televizioni pro-qeveritar.

Ndryshe, pikërisht për shkak të pasigurisë pjesa më e madhe e vozitësve e anashkalojnë qarkoren dhe thuajse të gjithë që transitojnë hyjnë në Shkup, me çka krijohet kaos në trafik, ndërsa me këtë rritet edhe ndotja në kryeqytet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat