Shkup, objektet hotelerike të mbyllura të shtunën ende po punojnë

Shkupi

Shkup, objektet hotelerike të mbyllura të shtunën ende po punojnë

Më: 13 nëntor 2017 Në ora: 21:05
Ilustrim

Lokalet që u inspektuan të shtunën vazhdojnë të punojnë edhe në ditën e tretë pas aksionit policor, të ndërmarrë ndaj 13 objekteve hotelierike në Shkup.

Pronarët thonë se nuk do t’i mbyllin lokalet e tyre derisa të arrijë tek ta vendimi për masat e ndërmarra nga Drejtoria e të Ardhurave Publike, nga Inspektorati shtetëror i tregut dhe nga Inspektorati shtetëror i punës.

Ndërkaq, nga MPB thonë se ky aksion është vetëm fillimi. Zëvendësministri i punëve të brendshme Agim Nuhiu, thotë se nuk do të ketë kompromis me askënd që shkel ligjin.
“Kemi bërë kontrollin në Qytetin e Shkupit, por ne do të vazhdojmë edhe në qytetet e tjera! Kompromis nuk ka, toleranca do të jetë zero ndaj të gjithë atyre, të cilët qoftë janë organizatorë, qoftë mbështesin veprimet që janë të kriminalizuar”, u shpreh Agim Nuhiu, Zv/ministër i Punëve të brendshme.

Nga shërbimet policore në terren thonë se kanë pasur informacione se në këto lokale nuk respektohen ligjet e orarit të punës, u shërbehet alkool personave nën moshën 18 vjeç dhe se nuk jepen llogaritë fiskale. Përveç kësaj, efektivët policorë kanë hasur edhe persona të mitur në vende ku prindërit nuk duhet t’i lejojnë fëmijët e tyre. Nga 24 lokalet dhe klubet e natës të inspektuara mbrëmjen e së shtunës, ndaj 5 lokaleve pritet t’u bëhet ndalesë të punës për 15 ditë kurse 8 të tjerave ndalesë 30 ditore.

GRAFIKA: 13 LOKALET E INSPEKTUARA
RESTORANTI “MALL ALLTAN”  – 15 DITË
KABARET    “MIDNAJT”  – 15 DITË
KAFE BAR “VERSAÇE” – 15 DITË
KLUBI NATËS “ARSITOKRAT” – 15 DITË
KLUBI NATËS “LE KLUB” – 15 DITË

KAFE BAR “JARI DUPKA” – 30 DITË
KAFE BAR “KONEKT –TIM” – 30 DITË
KAFE BAR “LA LARA”                         – 30 DITË
KAFE BAR “SNEKI BAR” – 30 DITË
KLUBI NATËS “VOKS”  – 30 DITË
KLUBI I NATËS “KAPAN AN” – 30 DITË
KANTINA “TEMOV” – 30 DITË
RESTORANTI “GIGO”  – 30 DITË

Nga Drejtoria për të ardhura publike thonë se procedura e mëtejmë nuk bëhet publike se kush nga lokalet për çfarë është dënuar dhe sa do të jetë gjoba në të holla. Edhe pse një pjesë prej tyre nuk ishin të mbyllur as të hënën, nga DAP thonë se pronarët do të duhet patjetër ta respektojnë masën e caktuar për t’i mbyllur lokalet që nga dita e marrjes së vendimeve për ndalesë të përkohshme të punës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat