Rrjedhin afatet për shpalljen e referendumit

Shkupi

Rrjedhin afatet për shpalljen e referendumit

Më: 2 korrik 2018 Në ora: 19:51
Shkup

Pushteti ende nuk ka përcaktuar as datën e as pyetjen konkrete e cila do parashtrohej në referendumin për emrin. Nëse pushteti ende planifikon referendumi të mbahet në vjeshtë, atëherë afatet për shpalljen e referendumit tashmë kanë filluar të rrjedhin. Sipas Ligjit për referendum, atë e shpall Kuvendi, ndërsa nga dita e shpalljes së vendimit në Gazetën zyrtare ai duhet të realizohet në periudhë prej 30 deri më 60 ditë. Në mënyrë hipotetike, nëse referendumi mbahet më 30 shtator ditën e diel, atëherë procedura parlamentare do duhej të fillojë që ditën e djeshme. E nëse teorikisht referendumi mbahet javën e parë të tetorit, atëherë datë më e hershme për fillimin e procedurave parlamentare që kanë të bëjnë me referendumin në nivel shteti, do të ishte 8 korriku.

Por, nga Kuvendi për momentin shprehen se për këtë javë planifikohet vetëm rivotimi i Marrëveshjes me Greqinë, të cilën presidenti Ivanov refuzoi ta firmosë. Paralajmërim për shpallje të referendumit për momentin nuk ka. Nga ana tjetër, pushteti përforcon propagandën mediatike për referendum nëpër profilet sociale të Qeverisë dhe kryeministrit Zoran Zaev. Në to apelohet te qytetarët të thonë “Po” për të ardhmen. Publikimet nga profilet e Zaevit janë përhapur edhe nëpër mediat greke. VMRO DPMNE-ja opozitare thotë se pushteti po i keqpërdor autorizimet zyrtare.

 VMRO DPMNE

“Ministria e të vërtetës” e Qeverisë dhe Zaevi fushatën e filluan para se marrëveshja kapitulluese të ratifikohet në Kuvend dhe pa u marrë çfarëdo vendimi për shpalljen e referendumit. Kjo është abuzim me sistemin, abuzim me pozitën zyrtare me qëllim që të qytetarët të hutohen. Kjo fushatë për përhapjen e gënjeshtrave nuk ka të bëjë vetëm me publikimin e shtuar nëpër rrjetet sociale, por edhe me abuzimin e aktiviteteve të bartësve të funksioneve në terren gjatë vizitave të komunave dhe takimeve me qytetarë”.

Nga Qeveria mohojnë se është duke u zhvilluar fushatë zyrtare. Shprehen se tek tani do të përcaktohet datë konkrete pas të cilës do të fillojnë aktivitetet.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë

“Nuk kemi filluar fushatë zyrtare. Në rrjetet sociale publikohen kryesisht citate nga fjalimet e kryeministrit Zoran Zaev lidhur me marrëveshjen e arritur“.

Në Ligjin për referendum thuhet se propozuesi i autorizuar mund të zhvillojë propagandë publike, por me shpenzim të tij. Pyetja në fletëvotimin duhet doemos të jetë e formuluar mirë dhe të mos ketë kuptim të dyfishtë, ndërsa votuesit prononcohen me rrethimin e opsioneve “PËR” ose “KUNDËR”. Ndërkohë, kryeparlamentari Talat Xhaferi ende pret përgjigjen e partive edhe për atë se cilët kandidatë do t’i propozojnë për përbërjen e re të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve me mandat të përkohshëm prej gjashtë muajsh, që duhet ta organizojë referendumin eventual.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat