Johannes Hahn sot arrin në Shkup, fillon procesin e skriningut

Shkupi

Johannes Hahn sot arrin në Shkup, fillon procesin e skriningut

Më: 17 korrik 2018 Në ora: 08:36
Johannes Hahn

Eurokomesari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë Johannes Hahn, sot do të vizitojë Maqedoninë dhe do të nisë procesin e skriningut në vend për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Sipas agjendës, Hahn së pari do të arrijë në qeveri, ku do të marrë pjesë në seancën e 79-të qeveritare, në të cilën pika e vetme e rendit të ditës është informacioni për konceptin dhe strukturën e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë në BE.

Pas përfundimit të seancës, Hahn dhe Zaev do të mbajnë konferencë të përbashkët për shtyp. Hahn më pas do të takohet me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi dhe kreun e OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski.

Eurokomesari Hahn pritet që të mbajë fjalim para anëtarëve të Këshillit kombëtar për eurointegrime në Kuvendin e Maqedonisë.

Javën e kaluar Hahn njoftoi se do ta vizitojë Maqedoninë dhe Shqipërinë për fillimin e procesit të skriningut në këto dy vende. Pas përfundimit të takimeve në Shkup, Hahn do të udhëtojë për në Tiranë.

Përndryshe, skriningu është proces me të cilin kontrollohet niveli i gatishmërisë së vendit për të udhëhequr me negociatat me BE-në.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat