Për një vit mbi 15 mijë raste me sëmundje psikike në Maqedoni

Shkupi

Për një vit mbi 15 mijë raste me sëmundje psikike në Maqedoni

Më: 20 shtator 2018 Në ora: 11:04
Ilustrim

Klinika e Psikiatrisë në Shkup me të dhëna alarmante mbi sëmundjet mentale.

Nga viti në vit sa vjen e shtohet numri i pacientëve të prekur nga sëmundjet mendore. Brenda një viti në Ambulancën e kësaj Klinike regjistrohen rreth 15,000 raste me sëmundje mendore. Depresioni prek majën e listës së sëmundjeve më të shpeshta tek pacientët të cilët kontrollohen në Klinikën e Psikiatrisë ndërsa shqetësuese paraqitet edhe numri i lartë i çrregullimeve mendore tek fëmijët. Autizmi është sëmundja më e shpeshtë që diagnostikohet tek fëmijët, ndërkaq edhe numri i llojeve tjera të çrregullimeve psikike është shqetësuese. Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë numëron disa arsye të cilat ndikojnë në këtë gjendje.

Gjithsesi se për këtë gjendje ndikojnë shumë faktorë, sigurisht edhe mënyra moderne e të jetuarit dhe sfidat e procedurave terapeutike. Secili sigurisht që ka probleme ekzistenciale të cilat viteve të fundit sa vijnë e më shumë ndikojnë në shëndetin tonë mental, por e kam patjetër të them se edhe ngritja e vetëdijes posaçërisht mes të rinjve, se duhet të kërkohet ndihmë nga profesionistë në rast të problemeve mendore, sigurisht që ndikon që ai numër të jetë shumë i madh”- theksoi Stojan Bajraktarov, drejtor i Klinikës së Psikiatrisë.

Maqedonia nuk ka në listën e saj pozitive ilaçe moderne për shërimin e sëmundjeve. Pacientët kanë në dispozicion vetëm një ilaç të vetëm bashkëkohor për shërim, ndërkaq ka dhe disa tjerë të cilat nuk janë në listën pozitive e që pacientët detyrohen t’i blejnë privat. Për një terapi ata detyrohen të paguajnë rreth 200 euro.

Gjenerata e re e ilaçeve nuk janë aq të kapshme për pacientët. Kemi vetëm një ilaç nga gjenerata e re i cili është i dedikuar për një numër të caktuar të pacientëve dhe kjo është për numër të limituar të pacientëve. Nevojat e pacientëve, patjetër ta pranoj që janë shumë më të mëdha. Kemi një iniciativë përmes Fondit që të vendoset edhe një ilaç i tille. Sigurisht që ka edhe disa që pacientët i kanë në dispozicion, por nuk janë në listën pozitive, kështu që pjesërisht atë mund pacientët ta blejnë” – pohoi Stojan Bajraktarov, drejtor i Klinikës së Psikiatrisë

Klinika e psikiatrisë përballet edhe me mungesën e personelit mjekësor. Drejtuesit e saj thonë se me rritjen e rasteve të reja, rritet edhe nevoja për punësime të reja. Kohëve të fundit në këtë Klinikë janë bërë dy punësime të reja por nevoja për punësime tjera mbetet akoma e lartë. Ministri i Shëndetësisë dhe drejtori i Klinikës Psikiatrike shpalosën strategjinë nacionale për përmirësimin e shëndetit mendor e cila pritet të implementohet deri në fund të vitit 2020. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat