“Kalon jeta para syve në një sekondë”, mjekët rrëfejnë momentet e vështira me Covid-19

Shqipëria

“Kalon jeta para syve në një sekondë”, mjekët rrëfejnë momentet e vështira me Covid-19

Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 21:56
Foto ilustrim

Pandemia e Covid-19 shkaktoi panik dhe frikë në të gjithë botën. Si pasojë e këtij infeksioni deri tani numërohen mbi 1.7 milionë të vdekur, element ky, që tregon agresivitetin e lartë të këtij virusi. Krahas vendeve të tjera, edhe Shqipëria u godit nga kjo pandemi, e cila solli humbje të konsiderueshme në jetë njerëzish dhe në ekonomi.

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, përballë gazetares Ilva Tare, tregoi detaje mbi mënyrën se si u përball me coronavirusin. Ai tha se kohëzgjatja e sëmundjes ndikon në rëndimin psikologjik, dhe për rrjedhojë kjo rrit ndjenjën e frikës.

“Shqetësimi ishte. Unë e pata me temperaturë për disa dita rresht, dhe me diarre gati dhjetë ditë. Frika herë pas here vjen, sepse kalon jeta para syve në një sekondë.  Sigurisht se mendon atë vrapin e përditshëm, ato gjëra që i ke bërë me nxitim. Të duket sikur nuk ke bërë asgjë në jetë. E sotmja është kjo. Do të shpresosh, jeto të sotmen”, tha ai.

Epidemiologu Ilir Alimehmeti tha në Euronews Albania se ai personalisht e ka kaluar më lehtë infektimin me Covid-19.

“Situata ime qe më e lehtë, ndërsa unë e pata mundësinë me qenë mjeku i vetes, sepse kisha nevojë vetëm për 2 kokrra paracetamol”, tha ai.

Mjeku Dritan Ulqinaku, u shpreh se ka patur temperaturë të lartë, ndërsa shtoi se “pacienti më i keq” ndër të sëmurët, është vetë mjeku. Kjo gjë sipas tij ndodh pasi bluzat e bardha arrijnë të kuptojnë më lehtë avancimin e sëmundjes, dhe kjo gjë ndikon në rëndimin psikologjik.

“Temperaturë që zgjati dhjetë ditë, dy apo tri ditë diarre, por zgjatja e temperaturës të bën të mendosh shumë gjëra. Mund të them ndonjëherë se pacienti më i keq është mjeku vetë. Aspekti psikologjik është më i rënduar. Njeriu ndonjëherë bëhet më shumë besimtar dhe duhet të jesh më besimtar”, tha ai.

Krahas rrëfimit të eksperiencave të tyre se si u përballen me Covid-19, mjeku Brataj tha se ky virus nuk duhet sulmuar që në fillim. Ai ftoi qytetarët të tregojnë kujdes dhe mos të rendojnë organizmin me medikamente pasi ky veprim çon në dëmtimin e mëlçisë.

“Nuk është sëmundje për ta sulmuar që në fillim, sepse kur e sulmojmë në fillim edhe ne jemi shkaktar. Kur mëlçia ngarkohet me medikamente, jep dëmtim dhe jo mbrojtje. Kur ti e ngarkon organizimin, ti i jep dëmtim. Ne ngarkojmë organizimin para se të ndodh dëmtimi”, tha Brataj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat