Peleshi bën bilancin: Kemi fryrje të lumenjve, në Gjirokastër situata është emergjente

Shqipëria

Peleshi bën bilancin: Kemi fryrje të lumenjve, në Gjirokastër situata është emergjente

Më: 8 janar 2021 Në ora: 20:50
Niko Peleshi

Ministri i Mbrotjes, Niko Peleshi ka publikuar bilancet e përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin në ditët e fundit.

Gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror i Emergjencave Civile, Peleshi ka thënë se situata është nën kontroll, teksa shton se gjithçka do të përmirësohet nëse nuk do të ketë reshje në ditët në vijim.

Peleshi: Në Shkodër kemi një rritje të nivelit në lumenjtë Bunë, Gjadër dhe Kir. Janë përmbytur rreth 170 hektarë. Fshati Obot, si gjithmonë për shkak se është nën nivelin e detit është përmbytur nga uji. Në dispozicion janë mjetet tona dhe kanë transportuar rreth 100 persona gjatë ditës së sotme. Hidrocentralet punojnë me kapacitet të plotë, por me prurje rreth 10 herë më të lartë se sa konsumi. Kemi 4000 metër kub prurje, ndërkohë që kapaciteti është 400 metra kub. Me këtë ritëm, në rast se për 2-3 ditë nuk do të kemi reshje intensive, hidrocentralet nuk do të përmbahen në shkarkimet e tyre që janë të moderuara deri tani. Ato nuk rrezikojnë përmbytjen e zonave më kritike, që është ajo e nën Shkodrës.

Kemi tre izolime shtëpish në Vaun e Dejës, por nuk ka nevojë për evakuim. Në Lezhë janë përmbytur rreth 2500 hektarë dhe janë evakuuar dy familje në Lezhë dhe një në Kurbin. Prurjet janë shumë të larta në lumin Drin, pothuajse në kuota maksimale. Kolektorët janë në nivel shumë të lartë. Është ndërhyrë në argjinaturën e lumit Gjadër për përmirësim nga Bashkia.

Në jug , në Vlorë ka vetëm një shembje rruge në aksin Borsh-Piqeras. Situata e përmbytjeve nuk është kritike, është e mirë relativisht. Niveli i ujit te ura Mifolit është 6.2 metra dhe kemi një rënie të lehtë të këtij niveli, që vjen për shkak të rënies prej 10 cm të nivelit në Memaliaj. Në orët në vijim kjo rënie e lehtë që po vijon në Memaliaj, do të reflektojë edhe te ura e Mifolit. Me shpresë që mos të ketë dalje të Vjosës nga shtrati, që do të ishte rrezik i madh për Vlorën dhe Fierin. Ende është herët por parashikimi ynë nuk është dramatik për Vjosën, sepse prurjet janë në ulje.

Në Fier kuota në Vjosë është 5.4 nga 6.5 që është kuota e alarmit, argjinaturat janë pa probleme.

Në Fushë-Krujë ka një rritje të nivelit të lumit Zeze, në Bubq kemi 250 ha të përmbytura dhe 3 lagje të bllokuara. Në Thumanë situata është në kontroll, ka disa hektarë të përmbytur dhe disa fshatra që ka pasur përmbytje në oborre bujqësore, por nuk ka familje të bllokuara. Në Durrës ka dalje të lumit Erzen dhe Ishëm nga shtrati. Në Sukth janë evakuuar 10 qytetarë. Në fshatin Vardar, kanali i Tomës ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur 4 shtëpi dhe 20 hektarë tokë. Nuk ka persona të rrezikuar apo të izoluar.

Në Gjirokastër kemi situatë emergjence, janë marrë masa dhe është bërë ndërhyrja në ato zona ku ka pasur probleme. FA ka dyfishuar gatishmërinë 260 forca të specializuara 1600 të tjera të shtabeve dhe të qarqeve. Rreth 1100 forca nga Bashkitë e rrezikuara janë të angazhuar dhe në dispozicion të emergjencës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat