Zgjedhjet e 25 prillit, Idrizi: Lista e opozitës së bashkuar nuk do ketë logon e PD. PDIU garon me siglën e saj

Shqipëria

Zgjedhjet e 25 prillit, Idrizi: Lista e opozitës së bashkuar nuk do ketë logon e PD. PDIU garon me siglën e saj

Më: 10 shkurt 2021 Në ora: 23:20
Shpëtim Idrizi

Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi konfirmoi se PDIU në zgjedhjet e 25 prillit do të jetë pjesë e listës së opozitës së bashkuar, por do të garojë me siglën e saj me kandidatë në të 12 qarqet e vendit.

Këtë deklaratë z. Idrizi e bëri në emisionin Ilva Now në Euronews Albania, në një panel të ftuarish ku ishin të pranishëm Erl Murati, kryeredaktor i GSH.al; Plator Nesturi, analist; Ervis Iljazaj, analist; dhe Pano Soko, Nisma ‘Thurje’ dhe ku u diskutua strategjia e opozitës së bashkuar në zgjedhjet e 25 prillit.

Z. Idrizi shpjegoi se PDIU është regjistruar disa ditë më parë të hyjë në zgjedhje dhe për shkak të ndryshimit të kodit zgjedhor janë detyruar të hyjnë në një listë të përbashkët, që siç tha nuk do të ketë emrin e Partisë Demokratike, ku të gjithë kandidatët e partisë së tij që do të hyjnë në listë, do të regjistrohen në siglën e PDIU.

“Nuk është e saktë që lista e opozitës së bashkuar do jetë lista e PD. PDIU është regjistruar tashmë si parti politike për zgjedhjet e 25 prillit. Në 24 shkurt regjistrohen koalicionet, pra PDIU bëhet pjesë e koalicionit. Në fillim të marsit koalicioni paraqet në KQZ listën dhe renditjen, ku unë do jem pjesë listës, por në regjistrimin në KQZ do kem siglën e PDIU në krah të emrit.

Në momentin që regjistrojmë koalicionin e përbashkët, lista që paraqitet në 9 mars është lista e koalicionit. Se nëse është kështu, unë e them që tani; PDIU del e vetme. Nuk është lista e PD, është e koalicionit opozitar. Në 6 mars do jetë lista e koalicionit, ku çdo kandidat do ketë siglën e vet në krah”, shpjegoi z. Idrizi.

Për analistin Ervis Iljazaj, partitë e vogla e kanë ndjekur kreun e PD, Lulzim Basha në të gjitha dështimet e tij, ndaj e meritojnë të futen në listën e PD.

Sipas tij, fakti që partitë e vogla do të kenë kandidatët e tyre në të 12 qarqet dhe jo vetëm në qarqet e sigurta është strategji e mirë elektorale për opozitën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat