Pandemia “ç’edukon” të varfrit, Linda Pino: Situata në vend është shqetësuese

Shqipëria

Pandemia “ç’edukon” të varfrit, Linda Pino: Situata në vend është shqetësuese

Më: 19 shkurt 2021 Në ora: 11:24

Rreziku i infektimit nga Covid-19 lindi nevojën e mësimit online si dhe atij të alternuar, si një mënyrë kjo për të ulur sa më shumë numrin e të pranishmëve brenda një klase të vetme, në përpjekje për të ruajtur distancën e sigurisë. Teksa mësimdhënia virtuale ka përfshirë mbarë globin, në Shqipëri të shumta janë problemet që i kanë shoqëruar rrethanat në fjalë, nisur nga mungesa e internetit në shtëpi për shumë familje shqiptare dhe deri te të mospaturit një kompjuter apo celular inteligjent (smartphone).

E ftuar mëngjesin e sotëm në emisionin “Wake Up”, koordinatorja e Koalicionit për Arsimin në Shqipëri, Linda Pino deklaroi se situata në vend është shqetësuese, për shkak se 210 mijë nxënës të arsimit parauniversitar nuk kanë akses në mësimin online.

“Arsimi nuk i jep efektet menjëherë, i jep efektet në një 10-vjeçar. Kështu që edhe shqetësimi që me të drejtë ka ngritur Banka Botërore është i drejtë, ku do shkojë arsimi këtu e dhjetë vjet, si do jetë gjendja e fëmijëve që sot po studiojnë në arsimin parauniversitar publik. Janë mbi 500 mijë fëmijë që studiojnë sot në arsimin parauniveristar publik. Nëse bëjmë një përllogaritje, janë 210 mijë nxënës që nuk kanë akses në arsim. Pra 210 fëmijë ku janë, si po mësojnë? Janë fëmijë që nuk kanë mundësi të kenë një telefon dhe jo më një kompjuter”, tha ajo.

Sot, pavarësisht ngjyresave partiake, zgjedhjes për të mbajtur një qëndrim apo një tjetër, ose dëshirës për kritikë a jo, mund të pohohet me bindje se mësimdhënia dhe mësimnxënia në vendin tonë po has probleme, nga ato që në dukje cilësohen të rëndomta te më madhoret.

Pa internet = pa mësim

Teksa si zgjidhje është parë mësimi i alternuar për arsimin parauniversitar, hallka e parë e problemit-zinxhir, nis që prej mungesës së internetit. Fëmijët nuk arrijnë t’i bashkohen mësimit virtual. Në një kohë kur vendet e punës së prindërve të tyre janë shkurtuar si dhe paketat e internetit kanë një çmim të konsiderueshëm, sigurimi i tij është një problem serioz.

Kërkohet një celular i mirë

Për t’u bërë pjesë e platformave, përmes të cilave jepet mësim në shkollë, saktësisht Zoom apo Google Meeting, kërkohet një aparat celular i mirë, një smartphone. Por jo të gjithë munden ta kenë një të tillë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat