Masakra e 2 prillit/ Meta nga Shkodra: Shqipëria vuan nga mungesa e zgjedhjeve të lira dhe fenomeni i partisë-shtet

Shqipëria

Masakra e 2 prillit/ Meta nga Shkodra: Shqipëria vuan nga mungesa e zgjedhjeve të lira dhe fenomeni i partisë-shtet

Më: 2 prill 2021 Në ora: 10:46
Ilir Meta

Presidenti i vendit, Ilir Meta, ndodhej sot në qytetin e Shkodrës, ku mori pjesë në ceremoninë solemne që organizohej me rastin e 30-vjetorit të vrasjes së Martirëve të Demokracisë.

Si sot 30 vite më parë, më 2 prill 1991, një ngjarje shumë e rëndë tronditi jo vetëm qytetin e Shkodrës por të gjithë vendit. Kjo ditë njihet si masakra e fundit e komunizmit në Shqipëri pasi pas një proteste kundër regjimit u ekzekutuan 4 persona.

Plumbat e forcave të policisë morën jetën e Bujar Bishanakut, Arben Brocit, Nazmi Kryeziut dhe Besnik Cekës, sot të shpallur martirë të demokracisë, ndërkohë që me dhjetëra u plagosën.

Në një prononcim për mediat Meta tha se “jemi këtu për të nderuar kujtimin e martirëve të demokracisë dhe për të çuar deri në fund amanetet e tyre”. Kreu i shtetit tha se Shqipëria ende vuan nga mungesa e zgjedhjeve të lira dhe fenomeni i partisë-shtet, duke shtuar se është momenti që shqiptarët të tregojnë që me 25 prill do e kthejnë vendin në shinat e Kushtetutës.

“Sot bëhen 3 dekada që nga ajo ditë e 2 prillit të vitit 1991, ku 4 djem nga më të mirët e Shkodrës dhe Shqipërisë u vranë pabesisht, pikërisht se dolën në mbrojtje të demokracisë, të zgjedhjeve të lira dhe protestës demokratike. Sot jemi këtu për të nderuar kujtimin e tyre, të paharruar, jemi këtu edhe për tu angazhuar për ta çuar deri në fund amanetin e tyre dhe dëshmorëve të tjerë që ranë për demokracinë, zgjedhjet e lira, mendimin e lirë në Shqipëri.

Ende Shqipëria vuan nga mungesa e zgjedhjeve të lira, fenomeni i partisë-shtet dhe kapja e shtetit. Ndaj është momenti që të gjithë të nisemi drejt 25 prillit, kësaj dite vendimtare për të vendosur vendin në shinat e kushtetutës dhe demokracisë.

Unë kam patur ftesën si Presidenti i Republikës nga shoqata e 2 prillit dhe kam bërë çdo gjë për të qenë prezent këtu jo vetëm sepse është një përvjetor i rëndësishëm por sepse vendi është në një udhëkryq nga ku ne do të dalim në sukses falë ndërgjegjësimit të qytetarëve.

Unë çdo përgjegjësi dhe çdo problem që kam do ta shlyej duke qenë në krye të demokracisë në zgjedhjet e 25 prillit. Kam qenë i bindur me padrejtësinë e atij sistemi që s’mund të tolerojë më dhe kam qenë në anën e demokracisë dhe zgjedhjeve të lira, pro integrimin evropian dhe jo për kapjen e shtetit.

Pamundësia për të votuar na solli atje ku e dinë të gjithë, tani kemi një mundësi të jashtëzakonshme, kemi votën tonë, për të mbrojtur demokracinë dhe të ardhmen, për të mos lejuar më largimin e shkodranëve dhe vlonjateve, për ti zëvendësuar me qytetarë të vendeve të tjera”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat