Reduktohen pagesat sociale, ulen shpenzimet për bebet, ndihmën ekonomike dhe ish-të përndjekurit

Shqipëria

Reduktohen pagesat sociale, ulen shpenzimet për bebet, ndihmën ekonomike dhe ish-të përndjekurit

Më: 5 prill 2021 Në ora: 14:00
Shqipëri

Fillimi i vitit 2021 është shoqëruar me reduktim të pagesave sociale, për bonusin e bebeve, ish-të përndjekurit dhe përfituesit e ndihmës ekonomike. Në krahasim me dy-mujorin e vitit 2020, për këto kategori janë paguar 1.3 miliardë lekë më pak. Ndërkohë, është shënuar rritje për pagesat e papunësisë dhe kompensimin e pronarëve.

Qeveria ka reduktuar në fillim të vitit pagesat që derdhen në llogari të disa grupimeve, të njohura ndryshe edhe si shpenzime sociale. Kështu për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë, për bonusin e bebeve e për përfituesit e ndihmës ekonomike, për dy muajt e vitit janë lëvruar 3.7 miliardë lekë ose 1.3 miliardë më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Përjashtim bën vetëm pagesa e papunësisë, e cila është rritur për shkak të shtimit të numrit të individëve që humbën punën dhe u regjistruan si punëkërkues. Volumi i pagesave për këtë kontigjent, së bashku me përfituesit e ndihmës ekonomike, pritet të rritet edhe për marsin e prillin, pasi një vendim me vlefshmëri deri në qershor, i ka dyfishuar këto të ardhura.

Edhe çeku i bebeve nuk ka shënuar rritje dhe për shkak të rënies së lindshmërisë, dhe një faktor i shtuar në këtë  sezon kanë qenë pikërisht frika dhe pikëpyetjet që krijoi pandemia pas rasteve të para që u diagnostikuan në mars.

Ndërkaq, për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve procesi duket se ka nisur me ritme të ngadalta këtë vit, pasi fondi i kaluar për trashëgimtarët është realizuar vetëm 5 %, nga 1 miliardë lekë të parashikuara për vitin.

Ndërkohë, në shpenzimet për fondet speciale, për kompensimin e pronarëve, ka një ecuri më pozitive, edhe pse procesi me ligjin e vitit 2015 tashmë rrezikon të ndryshojë për shkak të një vendimi që dha gjykata kushtetuese gjatë vitit të kaluar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat